AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë, gjuha e ashpër e partive para fushatës

Kanë mbetur edhe nëntë ditë deri në fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të gjashtë tetorit në Kosovë, por partitë politike tashmë ka kohë qëkanë filluar takimet me qytetarë e paraqitjet nëpër debate, në atë që po vlerësohet si “parafushatë” nga organizatat e shoqërisë civile.

Mexhide Demolli Nimani drejtoreshë e Lëvizjes FOL, i tha Zërit të Amerikës se një gjë e tillë ndodhë për shkak të mungesës së ligjeve që e rregullojnë situatën para fushatës zgjedhore në Kosovë.

“Të gjitha partitë politike mund të themi se që nga shpërbërja e kuvendit e madje ndoshta edhe që nga dorëheqja e kryeministrit kanë filluar fushatat e tyre ndërkaq derisa mungon një ligj i cili do të ishte më konkret në disa ndalesa që mund të bëhen edhe partitë ndoshta nuk do të fillonin kaq herët fushatën dhe do të prisnin afatin zyrtar”, thotë ajo.

Blerta Aliu nga koalicioni i organizatave jo qeveritare Demokracia në Veprim thotë shqetësuese është gjuha e partive politike ende pa filluar fushata.

“E kemi parë me shumë shqetësim një gjë të tillë dhe ju kemi bërë thirrje të gjithë kandidatëve të tregohen të përmbajtur e profesionistë dhe të ndajnë vlera e të respektojnë njëri-tjetrin gjatë debateve të tyre dhe asesi të mos lëshohen në përdorim të gjuhës jo adekuate duke kaluar në ofendime apo të eskalojnë në dhunë, gjë që është e pa arsyetueshme dhe dënon vlerat e demokracisë, të procesit zgjedhor dhe njëkohësisht rrezikon që të nxisë përleshje pastaj edhe te qytetarët”, thotë ajo.

Një gjuhë e tillë, thotë zonja Demolli – Nimani, është pasqyrim i mungesës së programeve të mirëfillta për qeverisje.

“Ajo që kemi parë deri tani është se të gjitha partitë pa dallim nuk janë duke kursyer mjet as gjuhë për ta mundur ta quaj kështu kundërshtarin e tyre. Mund të them se mund të jetë mungesa e një programi adekuat që do të duhej t’ua ofronin votuesve bën që partitë politike të mundohen të jenë në vëmendje të qytetarëve me akuza të ndërsjella ndaj njëri-tjetrit”, thotë zonja Demolli – Nimani.

Fushata zyrtare do të hapet më 25 shtator dhe do të përfundojë më 4 tetor, dy ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit, shpallja e të cilave pasoi situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë./VOA

 

Fraksion.com