AktualitetTë fundit

Kapen 11 kg heroinë në Durrës; Pranga 50-vjeçarit rezident në Zvicër

Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për trafikim të drogave të forta duke sekuestruar 11 kg lëndë narkotike, e dyshuar heroinë në Portin e Durrësit. Një 50-vjeçar, rezident në Zvicër është arrestuar.

Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në pikën e kontrollit të mjeteve, në mjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin A. S. shërbimet e Policisë Kufitare duke përdorur edhe qenin antidrogë kanë konstatuar se në brendësi të automjetit kishte lëndë narkotike.

Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës. Gjatë kontrollit të imtësishsëm të automjetit në gomën rezervë dhe në brendësi të vendit ku ajo vendoset, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 pako me lëndë narkotike, me peshë 11 kg, e dyshuar Heroinë.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit  A. S., 50 vjeç, banues në Zvicër, drejtuesi i mjetit. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

 

Fraksion.com