AktualitetBota+Të fundit

Afganistani në prag të zgjedhjeve presidenciale

Më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale në Afganistan, përgatitjet po vazhdojnë. Sipas Komisionit të pavarur Zgjedhor, deri tani është dorëzuar i gjithë dokumentacioni zgjedhor.

 Më shumë se 72.000 forca të sigurisë janë vendosur për të ruajtur qendrat e zgjedhjeve dhe vendvotimet në të gjithë vendin. Misioni mbështetës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan UNAMA i bëri thirrje Komisionit Zgjedhor, kandidatëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë që të forcojnë përpjekjet e tyre për zgjedhje të suksesshme presidenciale. Secili duhet të bëjë punën e tij për të garantuar që të gjithë afganët, duke përfshirë edhe gratë, të marrin pjesë në zgjedhje, thuhet në një deklaratë.

Sekretari i Përgjithshëm i UNAMA-s, Tadamichi Yamamoto u bëri thirrje talibanëve të ndalojnë kërcënimet e tyre kundër zgjedhjeve dhe kundër votuesve afganë.

“Sulmet kundër qendrave të votimit dhe civilëve, që duan të marrin pjesë në zgjedhje, janë të papranueshme. Ato janë një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare. Unë u bëj thirrje talibanëve të tërheqin kërcënimet e tyre dhe i bëj thirrje qeverisë afgane të marrë masa të përshtatshme sigurie për zhvillimin e zgjedhjeve”.

Në fundjavë, qeveria afgane bëri të ditur se të gjitha përpjekjet për t’u përfshirë në një dialog brendaafgan me talibanët do të shtyhen deri pas zgjedhjeve. Pas kësaj, qeveria e re e zgjedhur nga populli do t’i japë përparësinë më të madhe procesit të paqes, u tha.

Edhe ambasadorja afganase në OKB, Adela Raz, ritheksoi rëndësinë e zgjedhjeve për të ardhmen demokratike të Afganistanit dhe stabilitetin politik të viteve të ardhshme: “Megjithë rreziqet dhe sfidat për sigurinë, populli afgan është i vendosur të votojë. Votimi për të gjitha pjesët e shoqërisë sonë është një shprehje e vendosmërisë sonë për të vazhduar rrugën tonë drejt stabilitetit, demokracisë dhe përparimit”.

Ajo shtoi se Afganistani dëshiron të ecë përpara dhe të mos kthehet pas. Raz kërkoi të respektohet aspirata e popullit afgan dhe të mos vihet në dyshim që në krye besueshmëria e zgjedhjeve.

Në zgjedhjet parlamentare vitin e kaluar kishte shumë parregullsi. Shumë vendvotime nuk u hapën fare, për shkak të shqetësimeve për sigurinë ose për shkak të mos paraqitjes së punonjësve të zyrave të votimit dhe mungonte dokumentacion i rëndësishëm zgjedhor. Prandaj në kryeqytetin Kabul, të gjitha votat u shpallën të pavlefshme./DW

 

Fraksion.com