Snowden kërkon t’i sigurohet azili në Francë
Ish-kontraktori i Agjencisë për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Edward Snowden, i bëri thirrje presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që t’i ofrojë azil.
Snowden, i cili pritet të publikojë librin e tij “Permanent Record”, jeton në Rusi që nga viti 2013, kur edhe ka zbuluar detaje të programeve sekrete të mbikëqyrjes nga inteligjenca amerikane.
Në një intervistë për radion franceze Inter, të transmetuar të hënën, Snowden tha se “mbrojtja e informatorëve nuk është veprim armiqësor” dhe se ai mendon se ka të drejtë të ketë status të mbrojtur në Francë.
Snowden ka aplikuar për azil në Francë në vitin 2013, kur president i këtij vendi ka qenë Francois Hollande, por nuk e ka fituar.
Ai ka kërkuar azil edhe në disa vende të tjera.
Libri i Snowdenit do të publikohet më 17 shtator në rreth 20 vende, përfshirë Francën.
Presidenca e Francës nuk ka dalë ende me asnjë koment.
Shumë aktivistë të të drejtave të njeriut e shohin Snowdenin si hero, por autoritetet në Shtetet e Bashkuara duan që ai të gjykohet për spiunim.
Fraksion.com