Purdue Pharma, kompania e opioidëve shpall falimentimin
Firma Purdue Pharma, prodhuesja e opioidit OxyContin, ka paraqitur në gjykatë kërkesën për t’u mbrojtur, duke deklaruar falimentimin.
Kompania po përballet me padi të shumta gjyqësore nga qeveritë lokale dhe ato të shteteve amerikane, si dhe paditës të tjerë që aludojnë se kjo kompani tregtoi në mënyrë agresive ilaçe qetësuese, të cilat e shtuan edhe më tej krizën e opioideve në Shtetet e Bashkuara.
Deklarata e falimentimit u bë disa ditë pasi firma arriti një marrëveshje në tentativë me rreth 2 mijë entitete që ishin bërë pjesë e padive. Vlera e marrëveshjes mund të arrijë në 12 miliardë dollarë.
Megjithatë, disa prej shteteve amerikane të përfshira në këto padi, nuk e pranojnë marrëveshjen dhe thonë se kompania, si dhe familja Sackler që e kontrollon atë, nuk po bëjnë mjaftueshëm dhe se kushtet e vendosura nuk do të mundësojnë livrimin e kësaj shume.
Steven Miller, kreu i kompanisë Purdue Pharma, refuzoi kritikat ndaj marrëveshjes dhe tha se nëse paditë vazhdojnë, i vetmi rezultat do të ishte shpërdorimi i parave për një betejë ligjore për çështje që mund të përfshiheshin në këtë marrëveshje.
Familja Sackler ka ofruar të paguajë rreth 3 miliardë dollarë, si dhe që kompania të përdoret për të mirën e publikut. Kjo ndoshta do të mundësojë shpërndarjen falas për publikun të dozave të ilaçit që kompania krijoi për të luftuar ndërvarësinë nga opioidet.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm të shtetit të Nju Jorkut tha të premten në gjykatë se anëtarët e familjes Sackler shfrytëzuan llogari të fshehura për t’i kaluar vetes rreth 1 miliardë dollarë. Familja tha se transfertat janë bërë dekada më parë dhe në përputhje me ligjet.
Të dhënat e qeverisë federale amerikane tregojnë se nga 8 mijë raste vdekjeje me përfshirje të opioideve në vitin 1999, numri është rritur në 47,600 deri në vitin 2017.
Fraksion.com