“I mbijetoi lakmisë”; Rama: Shkolla “Servete Maçi” një transformim i jashtëzakonshëm (Foto)
Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në inaugurimin e shkollës “Servete Maçi” në Tiranë.
Rama falënderoi fillimisht të gjithë prindërit që nuk e pranuan mendësinë e një vendimmarrje krejtësisht të gabuar për ta transformuar territorin e shkollës në territor ndërtimi për pallat.
Falë tyre, tha Rama, shkolla si pasuri e përbashkët i mbijetoi lakmisë dhe faktikisht sot është një transformim i jashtëzakonshëm që jam i bindur se shumica as e mendonin se do të ndodhte më parë.
Duke folur për ndryshimet në këtë shkollë, Rama tha se “ky është një projekt i bërë me shumë dashuri dhe shumë mençuri dhe tani u takon trupës së mësuesve në radhë të parë, por bashkë me prindërit dhe nxënësit që të organizohen për ta mirëmbajtur, sepse është një strukturë jo e lehtë për t’u mirëmbajtur”.
“Ashtu sikurse i takon komunitetit ta shfrytëzojë edhe përtej orëve të mësimit, sepse ka palestër fantastike, mjedise të brendshme shumë të këndshme, auditore që së shpejti do të jetë gati të pajisura me materialet e fundit. Të gjitha këto janë elementë të mjaftueshëm për të ndërtuar një qendër komunitare që funksionon jo vetëm për nxënësit, por edhe për të rejat e të rinjtë e komunitetit”, tha Rama.
Rama tha se në këtë shkollë një element shumë i rëndësishëm është padiskutim elementi i muzikës, forca e kësaj shkolle.
“Me këto elementë shkolla mund të hapet më shumë edhe për komunitetin dhe mund të prodhojë edhe aktivitete për t’u konsumuar nga komuniteti”, tha Rama.