Testim me shkrim drejtorëve të burgjeve
Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u zhvillua sot testimi me shkrim i kandidatëve për drejtues në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP).
Ministria e Drejtësisë njoftoi se “pas verifikimit të kritereve ligjore për të gjitha aplikimet, sot u zhvillua testimi me shkrim i kandidatëve që synojnë post drejtues të një Institucioni të Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.
“Procedimi me garën e rekrutimit të efektivëve të rinj të policisë së burgjeve, u bë ashtu siç u veprua edhe me procesin e emërimeve në krye të IEVP-ve në vend, duke garantuar se do të jetë një proces transparent, meritokratik dhe me rezultate efektive në të gjithë sistemin penitenciar”, sqaron më tej Ministria e Drejtësisë.
Pas kësaj faze, kandidatët e kualifikuar do të kalojnë në procesin e verifikimit të figurës së tyre.
Reforma në burgje është një ndër prioritet kryesore të punës së Ministrisë së Drejtësisë, si një nga degëzimet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi.
Nëpërmjet sistemit të ri të rekrutimit synohet krijimi i një trupe shërbimi në burgje me integritet moral dhe aftësi profesionale, për të përballuar sfidat e reja që paraqiten, për rritjen e sigurisë në burgje dhe përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të të burgosurve. /a.g/