AktualitetPolitikëTë fundit

Punësimi në administratë; Ish deputetja e PD: Emërimet janë partiake

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri vuri sot në dyshim deklaratat e Artan Lames, kreut të Kadastrës për punësime sipas meritës, pasi sipas saj, Lame është regjistruar duke pohuar se emërimet janë partiake.

“Propaganda me punësimet shtetërore është një nga çështjet penalizuese jo vetëm për integrimin europian, por, mbi të gjitha, për keqfunksionimin dhe korrupsionin endemik, i përhapur në çdo qelizë të administratës shtetërore”, tha Pampuri.

“Shembull tipik i kësaj propagande është Agjencia e Kadastrës, e drejtuar prej 6 vitesh nga Artan Lame me emrin e Agjencisë së Legalizimeve. Pak ditë më parë, Artan Lame, pa u skuqur fare, foli për konkurs të ndershëm në plotësimin e disa dhjetëra vendeve të reja të punës të hapur në ketë agjenci me shtrirje në të gjithë vendin. Por gjithçka është një teatër”, vijoi ajo.

Sipas saj, rreth një vit më parë, me një material autentik, të publikuar në media, Artan Lame dëgjohet që pranon ndërhyrjen e deputetëve socialistë për marrjen në punë të militantëve dhe përdorimin e tyre gjatë fushatës.

 

Fraksion.com