AktualitetEkonomiTë fundit

OSHEE fund abuzimeve; Instalon matësa inteligjentë në Kashar dhe Vorë

Pas përfundimit me sukses të fazës së parë në zonën e Durrësit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur aplikimin e projektit pilot për instalimin e matësave inteligjentë në zonën Kashar-Vorë. Aktualisht janë në fund të procesit të instalimit 3527 matësa inteligjentë, ku mes tyre përfshihen 1000 subjekte private dhe rreth 20 shtetërore.

Instalimi i këtyre matësave bën të mundur përmirësimin e procesit të faturim-arkëtimit si dhe rrit transparencën ndaj klientit për konsumit ditor dhe mujor të energjisë elektrike duke i ofruar atij mundësinë për të aksesuar në çdo moment dhe kohë reale konsumin në matës nëpërmjet aplikacionit mobile.

Procesi i instalimit të këtyre matësave u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila u njoh me ecurinë e punës dhe mënyrën e aplikimit të tij.

Ky sistem i ri për matjen e energjisë elektrike, i cili në zonën e Durrësit, Vorës dhe Kasharit po aplikohet në mënyrë të suksesshme, është cilësuar nga ministrja Balluku si një komponent tjetër i rëndësishëm i reformës në sektorin energjetik.

“Ky është një sistem i cili nuk lë asnjë rrugë për abuzime, qoftë nga abonenti por qoftë edhe nga punonjësit e OSHEE-së. Tashmë faturat printohen direkt sipas të dhënave që ky sistem nxjerr. Për më tepër sistemi i matësave inteligjentë ofron gjithashtu kontrollin e automatizuar për të gjitha problemet gjatë shkëputjes së energjisë elektrike apo rilidhjes së saj nga qendra”, u shpreh Balluku.

Matësit inteligjentë bëjnë të mundur gjithashtu matjen e energjisë elektrike në çdo moment duke i dhënë mundësi kështu Operatorit të Shpërndarjes për një menaxhim më të mirë gjatë periudhave të ngarkesave në rrjet.

“Projekti i Durrësit dhe projekti i Kashar-Vorës, janë dy projektet e para pilot për të vijuar më tej dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore për t’a aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë matësit inteligjentë të cilët kanë të gjitha këto veti të dobishme si për abonentin ashtu dhe për sistemin e shpërndarjes”, theksoi më tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga ana tjetër, ky projekt i mundëson OSHEE përmirësimin e procesit të matjes dhe grumbullimit të arkëtimeve duke reduktuar kostot në terren si dhe duke rritur saktësinë e faturave.

“Pa diskutim që na ulin kostot operacionale, ulin kontaktet që bizneset kanë me punonjësit tanë në mënyrë që të shmanget çdo mundësi për abuzim. Ne kemi në çdo minutë, në çdo orë, në çdo kohë të gjithë situatën në kontroll, bashkë me rrjetin e tensionit të ulët dhe atij të mesëm për të parandaluar qoftë mbingarkesat, qoftë defektet që mund të paraqiten aty, apo qoftë edhe abuzimet që mund të ndodhin në sistemin matës”, bëri të ditur drejtori i OSHEE për rajonin e Tiranës, Klevis Jahaj.

Ky model matësi i energjisë është bën të mundur edhe matjen me 2 kahe, çka krijon hapësirat e nevojshme për përdoruesit që dëshirojnë të instalojnë impiante fotovoltaikë për vetëkonsum.

 

Fraksion.com