AktualitetTë fundit

“Bie çatia, bie suvatimi, uji buron tek shkallët”; Nxënësja e shkollës në Mamurras i shkruan letër Ramës

Shkolla “Demokracia” në Mamurras, Kurbin, ku mësojnë 120 nxënës do të ketë standarde më të mira, pas letrës që nxënësja e kësaj shkolle i dërgoi Kryeministrit Edi Rama, për të kryer rikonstruksionin e saj.

Dea Hetaj në klasën e gjashtë të shkollës “Demokracia”, i ka shkruar një letër Kryeministrit Rama ku kërkon rikonstruksionin e shkollës dhe pastrimin e një ambulance jofunksionale që ndodhet përballë kësaj shkolle.

“Mirëmëngjes dhe me rastin frymëzues të Deas së vogël që i shkruajti platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe zgjidhi një problem që shqetësonte atë dhe bashkëmoshatarët e saj, ju uroj një fundjavë të bukur”, shprehet Kryeministri Rama.

“I nderuar z. Kryeministër, kërkoj që ju të bëni të mundur që bashkia Kurbin të marrë vendimin që shkolla të rikonstruktohet, sepse kushtet që zhvillohet mësimi janë mjaft të vështira për ne. Bie çatia, bie suvatimi, dritaret nuk janë të izoluara dhe deri tek më e vështira, uji buron tek shkallët e katit të parë. Në oborrin e shkollës është një ambulancë, ajo nuk funksionon, është e prishur dhe më shumë mbeturina brenda. Ne jemi rreth 120 nxënës dhe po pakësohemi sërish, e vetmja arsye janë kushtet e këqija. Me respekt nxënësja e klasës së gjashtë Dea Hetaj! P.s. Si fëmijë e kërkoj me të drejtë këtë”, thuhej në letrën që Dea i dërgoi Kryeministrit Rama.

Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, shprehet se që nga momenti që ne morëm letrën e lexuam me kujdes, sepse edhe shkrimi i vogëlushes në impaktin e parë na dha një shtysë të madhe për të ndërhyrë shumë shpejt”.

“Nga të gjitha ankesat në letrën e saj është bërë hidroizolimi i tarracës, ndërhyrje në ambientet e brendshme në klasa, lyerja e shkollës, rrethimi dhe gjelbërimi. Një ndër shqetësimet e vajzës ka qenë edhe ambulanca, ajo ka funksionuar keq se ishte e mbushur me mbeturina, është bërë pastrimi, dizinfektimi dhe lyerja e saj. Po ashtu po ndërhyhet pas shkollës për pastrimin e kanalit, sepse i gjithë uji depërtonte brenda në shkollë. Po pastrohet kanali në mënyrë që lagështira e shkollës të hiqet njëherë e përgjithmonë”, theksoi Cara.

Kryebashkiakja e Kurbinit u shpreh se “do të jem në krye të punëve të bashkisë për të bërë më të mirën për këtë komunitet e këta fëmijë që mësojnë e shkollohen këtu”.