“Po me kushte Shqipërisë”; Analistët: Do ketë vetëm një vendim gjeopolitik
Analisti Aleksandër Çipa, krahas takimit me Merkel, e quan të rëndësishëm bashkëbisedimin me anëtarët e Komitetit të Çështjeve Evropiane.
“Ka qenë një seancë bisedimore, ku deputetët kanë qenë të interesuar për aspektet më të rëndësishme të progres-raportit. Për momentin mediumet e kanë të pamundur për të elaburuar raportimin për këtë bashkëbisedim, sepse aty do të evidentohej qartë qëndrimi që ata do të mbajmë më 27 Shtator. Sipas gjasave, Gjermania ka një vullnet diplomatik dhe politik për t’ia dhënë OK Shqipërisë natyrisht me kushte, të cilat do të konsistojnë më së pari te lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe rikthimi gjyqësorit në sistemin e drejtësisë shqiptare”, u shpreh Aleksandër Çipa.
Afrim Krasniqi dhe Aleksandër Çipa bëjnë këtë parashikim se çdo të ndodhë në 18 tetor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-s.
“Opsioni dominues aktualisht në BE është miratimi i hapjes së negociatave për Shqipërinë, por me një kusht që nuk është zbatuar me vendet e tjera. Miratimi për dy ose tre krerë që lidhen me bisedimet jo për të tërë marrëveshjen e procesin në mënyrë që Shqipëria ta fitojë shansin historik, por jo të shikohet si një shpërblim për qeverinë, për elitën për strukturën në Shqipëri, por si një shans për popullin shqiptarë për të kontrolluar qeverisjen dhe sistemin e tyre për më shumë Evropë në Tiranë”, tha Krasniqi.
“Fakti që mund të kemi një OK me kushte duket sikur është e njëjta formulë, sikundër edhe pranimi i dikurshëm i Shqipërisë në NATO. Këtu duhet të marrin në konsideratë edhe një rrethanë të re atë në të cilën ndodhet Evropa dhe mbi të gjitha droja që ka Evropa zyrtare për indulgjencat gjeopolitike kryesisht Turqia dhe Rusia në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shtoi Aleksandër Çipa.
Afrim Krasniqi mendon se do të jenë dy kushte që lidhen me standardet e demokracisë përfaqësuese dhe shtetit të së drejtës.
“Në terma konkretë do të jetë krijimi i të gjithë strukturës së drejtësisë deri në masa konkrete ndaj politikanëve të korruptuar dhe skandaleve që kanë ndodhur në vend. Do të jetë çështja e reformës zgjedhore dhe administratës publike”, tha Krasniqi./Muhamed Veliu, TCH
Fraksion.com