Zbardhet dëshmia në Gjykatë e Ahmet Ajetit; Tentoi vrasjen e Lul Berishës
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua seanca për Ahmet Ajetin, i akuzuar për tentativë vrasje të Lulzim Berishës, i njohur si kreu i Bandës së Durrësit.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2005, por çështja është rihapur në 2018-n, kur Ajeti u ekstradua nga Kosova.
Ajeti i cili ka nisur rigjykimin pas dënimin në mungesë me 20 vjet burg për “tentativë vrasje”, ka deklaruar se disa persona i kanë kërkuar të vrasë duke e kërcënuar në familjen e tij por se nuk kishte pranuar. Për këtë arsye ai ka deklaruar se është vetëplagosur.
“Në gusht të vitit 2005 erdha në Shqipëri pasi kërkoja punë. Erdha bashkë me Osman Karpuzin të cilin e njihja që nga viti 2001. Osmanin e kam njohur në luftën kombëtare të Maqedonisë. U ndalëm fillimisht në Tiranë tek një ndërtesë. Aty takuam dy persona të cilët na thanë se mund të na siguronin punë. Por puna ishte në Durrës.
Udhëtuam drejt Durrësit dhe na vendosën në hotel atje. Dy personat na thanë që ishte hoteli i tyre. Të nesërmen ata erdhën prapë dhe na sollën një armë bashkë me një fotografi. Na thanë këtë personin duhet ta vrisni. Më shumë biseduan me Osmanin”, ka rrëfyer Ajeti.
Ai tha se më pas është vetëplagosur në bark dhe ka deklaruar për policinë se është plagosur gjatë një sherri, shkruan Balkanweb.
“Por ne nuk donim të bënin vrasje. Ata na thanë s’keni shpëtim pa kryer veprën penale. Atëherë vendosa të vetësakrifikohesha. Kur Osmani doli për të blerë cigare unë mora armën dhe në hyrje të ndërtesës u vetëplagosa në anën e majtë në bark. U vetëplagosa pasi nuk doja të kryerja vrasje.
Unë kisha ardhur në Shqipëri pasi jam kryefamiljar dhe vëllanë e kam invalid të luftës. Në spital erdhën dy personat dhe më thanë që nëse flet vëllanë nuk do ta shikosh më. Më mori policia në pyetje, na ka ruajtur një polic në një shtëpi. Policisë i thashë që jam përplasur në një sherr banal me disa persona dhe më plagosën. Na ka shoqëruar polici që na ruante deri në dalje të Durrësit dhe ne u larguam”.
Fraksion.com