Numri i të zhdukurve në Bahamas bie në 1,300
Shërbimet e emergjencës në Bahamas kanë thënë se numri i të zhdukurve si pasojë e Uraganit Dorian ka rënë në 1,300, pasi më herët gjatë javës ishte raportuar për një listë prej 2,500 personave.
Agjencia Kombëtare për Menaxhimin e Emergjencave ka thënë se ulja e numrit ka ndodhur pasi janë identifikuar shumë persona nëpër strehimore.
Uragani Dorian ka goditur Ishujt Bahamas më herët gjatë këtij muaji duke vrarë të paktën 50 persona. Numri i të vdekurve pritet të rritet pasi janë duke vazhduar operacionet e kërkimit.
Kryeministri i Bahamasit, Hubert Minnis ka thënë në një adresim televiziv të mërkurën se qeveria është duke u treguar transparente dhe do të ofrojë “informacione për humbje të jetës së dikujt, kur ato të jenë të qasshme”.
Dorian ka prekur rajonin e Bahamasit me erëra deri në 295 kilometra në orë, në fillim të muajit shtator.
Erërat e kësaj stuhie janë konsideruar më të fuqishmet që janë regjistruar ndonjëherë gjatë zbarkimit.
Komisionari policor, Anthony Ferguson ka thënë se kërkimi i viktimave është proces i ngadalshëm.
“Neve na duhet të kalojmë nëpër rrënoja dhe të kërkojmë. Do të kaloj shumë kohë”, ka shtuar ai.
Shtetet e Bashkura kanë njoftuar të enjten se do të ofrojnë ndihmë humanitare në vlerë të 4 milionë dollarëve për Bahamasin.
Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar ka thënë se të hollat do të ndahen për ofrim të strehimit, ushqimit, ilaçeve dhe ujit për rajonet, Grand Bahama dhe Abako.
Fraksion.com