Komisioni i Venecias, Markert: Nuk do të ketë zgjedhje më 13 tetor
Thomas Markert, Sekretari i Komisionit për Demokraci Përmes Ligjit, pohoi se nuk ka parë asnjë përgatitje për një proces të ri zgjedhor në vend, ndërsa mendimi për veprimtarinë e presidentit për 30 qershorin pritet të publikohet më 11 tetor.
I pyetur nga gazetarja Marsela Karapanço në lidhje me datën 13 tetor, të caktuar për zgjedhjet lokale nga ana e presidentit të Republikës, vetëm dy ditë pasi do të jepet opinioni final nga Komisioni i Venecias, Markert tha se është një koincidencë datash.
“Por unë mendoj se në praktikë nuk do të ketë zgjedhje më 13 tetor”, theksoi ai.
“De facto, nuk mendoj se janë duke u bërë përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve, me aq sa unë jam në dijeni”, tha ai, ndërsa nuk komentoi në lidhje me pyetjen nëse e ka shkelur Presidenti i Republikës ligjin me zhdekretimin e 30 qershorit.
Duke folur për takimet në Tiranë, ai tha se “opozita parlamentare nuk ka një qëndrim të unifikuar, por qëndrime të ndryshme. Ndërsa opozita jashtëparlamentare, i ka të qarta qëndrimet e saj”.
Në lidhje me qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama, Markert tha: “Ju e dini që Kryeministri Rama ka qenë shumë kritik për atë që bëri Presidenti i Republikës. Ne diskutuam dhe për rolin e presidentit. Çfarë ai duhet të bëjë, ka të drejtë të bëjë e çfarë jo, si dhe për pasojat e këtyre veprimeve”./atsh
Fraksion.com