AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj konfirmon mospjesmarrjen në samitin e Pragës

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e kryeministrave të vendeve të Grupit të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet të enjten në Pragë.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit”, thuhet në një postim të Haradinajt, në rrjetin social Facebook, duke bërë të ditur se për arsyet e mospjesëmarrjes e ka njoftuar përmes një letre edhe kryeministrin e Çekisë, Andrej Babis.

“Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”, ka thënë më tutje Haradinaj.

Vendimi i Haradinaj për të mos marrë pjesë në këtë samit, vjen në kohën e debateve të shumta lidhur me deklaratat e presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, se do të diskutojë me zyrtarët e lartë çekë, për mundësinë e tërheqjes së njohjes së Kosovës, shkruan REL.

Megjithatë, Haradinaj nuk e ka përmendur në letër, se kjo është arsye e mospjesëmarrjes së tij në samit.

 

Fraksion.com