AktualitetBota+Të fundit

Dy blogerë australianë ndalohen në Iran

Dy shtetas australianë që janë ndaluar në Iran gati dy muaj më pare, janë identifikuar me emrat Mark Firkin dhe Jolie King, e cila po ashtu ka edhe shtetësi britanike.

Të dy janë ndaluar nga Garda Revolucionare Islamike për shkak të qëndrimit në një zonë ushtarake në Provincën e Teheranit, ka raportuar BBC.

Departamenti australian për Punë të Jashtme ka thënë në një deklaratë në emër të familjeve të çiftit: Familjet tona shpresojnë se do të shohin Mark dhe Jolie të sigurt në shtëpi, sa më shpejt që është e mundur. Ne nuk kemi ndonjë koment shtesë deri më tash.

Të dy janë blogerë dhe në kanalin e tyre në platformën YouTube kanë 21,500 ndjekës.

Transmetuesi në gjuhën iraniane, Manoto TV me bazë në Londër, ka thënë më 12 shtator se çifti është arrestuar pasi nuk ka pasur njohuri se si e parashohin ligjet e Iranit përdorimin e dronëve, shkruan REL.

Ministria e Punëvë të Jashtme të Britanisë ka thënë më 11 shtator se drejtuesi i kësaj ministrie, Dominic Raab “është takuar me ambasadorin iranian dhe ka ngritur shqetësime serioze për numrin e qytetarëve të ndaluar me dy shtetësi, si dhe për kushtet e ndalimit të tyre”.

Qeveria australiane ka përditësuar listën e vendeve të udhëtimit, duke thënë se “për shkak të rrezikut se të huajt, përfshirë australianët, mund të ndalohen apo arrestohen në mënyrë arbitrare”, udhëtarët duhet të rikonsiderojnë nevojën e tyre për t’u nisur drejt Iranit.

Arrestimet e tyre vijnë pas rritjes së tensioneve në mes të Iranit dhe perëndimit, meqë Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

 

Fraksion.com