AktualitetPolitikëTë fundit

“Do të dorëzohen në SPAK”; Hajdari: Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat vijnë si oferta të pakërkuara

Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari u shpreh se dy dosjet për rrugët që do të jepen me koncesion Milot-Balldren dhe Orikum -Dukat duhet të dorëzohen në SPAK, sapo institucioni të ngrihet.

“Kontratat koncesionare të fundit të Milot-Balldren dhe Orikum -Dukat vijnë si oferta të pakërkuara. Si ligji Fusha, këto janë kontrata që qeveria kërkon të mbulojë paligjshmërinë përmes votës së deputetëve. Ministria e Ekonomisë nuk ka dhënë miratimin për këto dy projekte, që rrezikojnë buxhetin e shtetit.

Shkeljet e rënda ngarkojnë me përgjegjësi nga specialisti më i thjeshtë deri te vendimmarrja e këshillit të ministrave. Ne duhet të bëjmë kallëzime në lidhje me këto dy ligje. Edhe nëse nuk merret prokuroria e përgjithshme, duhet ti denoncojmë nga ligji ‘Fusha’ deri te koncesionet e rrugëve. Këto dosje duhet të dorëzohen sapo të ngrihet SPAK-u. Duhet të mbrojmë të drejtën tonë” tha ajo.

Gjatë fjalës së saj Rudina Hajdari falenderoi Kuvendin dhe demokratët për nderimin në ceremonitë për kujtimin e 21-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit, ndërsa u ndal edhe te lapsusi i seancës së kaluar. “Ju falenderoj nga zemra për nderimin që i bëtë sot tim ati.

Falenderoj edhe të gjithë demokratët që morën pjesë sot në aktivitetet për nderimin e babait tim. Shpesh herë kërkohet të zhvendoset vëmendja dhe ajo që preku nga seanca e kaluar është fakti që u përmend fjala përçarje, kjo fjalë nuk është e duhura, duhet të dalim në Shqipëri për të ngritur të djathtën shqiptare. Kjo dashuri më mban gjallë kujtimin brenda meje. Kurrë nuk do të ishte në synimin tim ta përçaja“, tha Rudina Hajdari.

Fraksion.com