Bullgari, kreu i OJQ akuzohet se spiunon për Rusinë
Prokurorët bullgarë akuzuan të martën kreun e një organizate joqeveritare (OJQ) për spiunim në favor të Rusisë në kuadrin e një skeme që ata thanë se synon ta largojë Bullgarinë nga aleatët e saj perëndimorë dhe ta afrojë me Moskën.
Bullgaria, sateliti më besnik i Moskës në periudhën sovjetike, është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, por ka lidhje të ngushta kulturore dhe historike me Rusinë, e cila mbetet furnizuesja më e madhe e saj me energji.
Prokurorët thanë se Nikolai Malinov, 50 vjeç, kryetar i Lëvizjes Kombëtare Rusofile, ka punuar për Institutin rus të Studimeve Strategjike, i drejtuar kryesisht nga ish zyrtarë të zbulimit. Sipas prokurorëve, ai ka punuar gjithashtu për një OJQ ruse, Shqiponja me dy Krerë, që prej vitit 2010.
Malinov është liruar me kusht, por nuk i lejohet të largohet nga vendi, tha Kryeprokurori Sotir Tsatsarov.
Prokurorët thanë se kishin gjetur një dokument në gjuhën ruse, i përgatitur nga Malinov, që fliste për “një riorientim të domosdoshëm gjeopolitik të Bullgarisë”.
“Dokumenti përshkruan hapat që duhen ndërmarrë për të korrigjuar plotësisht orientimin gjeopolitik të Bullgarisë, larg perëndimit dhe drejt Rusisë,” thanë prokurorët. Ata nuk cilësuan se kur ishte shkruar dokumenti.
Dokumenti, thanë prokurorët, tregon se Malinov kishte planifikuar të krijonte faqe interneti, një kanal televiziv, një institut studimor me ndikim dhe një parti politike për të inkurajuar bullgarët të formonin pikëpamje më pozitive për Rusinë bazuar në traditat e tyre të përbashkëta sllave dhe në fenë ortodokse.
Presidenti bullgar Rumen Radev, i cili është miqësor ndaj Rusisë, tha se akuzat kundër Malinovit ishin “shumë serioze” dhe se prokurorët duhet të paraqesin prova të padiskutueshme për shkelje.
Ambasada e SHBA në Sofje tha në një deklaratë se ishte në dijeni të hetimit për një rast të supozuar spiunazhi dhe se mbështet plotësisht “përpjekjet e Bullgarisë për të mbrojtur sovranitetin e saj nga ndikimet keqdashëse”.
Fraksion.com