Amerikanët shënojnë përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit
Amerikanët po shënojnë të mërkurën 18 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, që lanë pas vetes rreth 3 mijë të vrarë në New York, Virginia dhe në Pennsylvania.
Presidenti Donald Trump, do të nderojë viktimat me një minutë heshtje në Shtëpinë e Bardhë, para se të marrë pjesë në një ceremoni në Pentagon për familjet e atyre që u vranë kur terroristët e al-Qaidas përplasën mbi ndërtesë një avion të rrëmbyer.
Në New York, qindra të mbijetuar dhe familjarë të atyre që u vranë, do të mblidhen në vendin ku ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, para se të rrëzoheshin nga goditjet e dy avionëve të udhëtarëve të rrëmbyer nga al-Qaida.
Nënpresidenti Mike Pence, pritet të marrë pjesë në një ceremoni në Shanksville të Pennsylvanias, afër vendit ku avioni i United Airlines u rrëzua, pasi që udhëtarët e morën nën kontroll nga terroristët që e kishin rrëmbyer.
Nëntëmbëdhjetë burra të lidhur me al-Qaida i kryen rrëmbimet.
Sulmi më vdekjeprurës në truallin amerikan, pas atij në Pearl Harbor në vitin 1941, ndryshoi përgjithmonë botëkuptimin e Amerikës për sigurinë dhe nxitën presidentin e atëhershëm George W. Bush t’i shpallë luftë terrorizmit dhe të pushtojë Afganistanin.
Forcat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara rrezuan talebanët nga pushteti në Afganistan, por konflikti ende po vazhdon duke u shndërruar në luftën më të gjatë amerikane. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe talebanët kanë zhvilluar kohët e fundit bisedime për paqen, por derisa hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme po bëheshin publike, presidenti Donald Trump anuloi takimet e planifikuara me talebanët dhe zyrtarë afganë, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të talebanëve në Kabul.
Shtetet e Bashkuara këkruan udhëheqësin e al-Qaidas Osama bin Laden për vite me ardhë pas sulmeve dhe në maj të vitit 2001 forcat amerikane bastisën një kompleks në Abbottabod të Pakistanit ku e vranë atë./VOA
Fraksion.com