AktualitetTë fundit

Prokuroria kërkon 12 vite burg për Saimir Tahirin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 12 vite burg për Saimir Tahirin, ish-ministër i Brendshëm.

Pretenca e prokurorëve është dhënë pak minuta më parë  ndërsa në seancë ishte i pranishëm edhe ish-ministri, së bashku me avokatin e tij, Maks Haxhia.

Në seancën e fundit para pushimeve verore, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e ish-ministrit Saimir Tahiri, për gjykim të shkurtuar. Kjo bën që ish-ministri të përfitojë ulje me 1/3 e dënimit, duke bërë që Prokuroria do të kërkojë 8 vite burg, si dhe hetimi të bëhet vetëm me provat e mbledhura deri në datën e pranimit të kërkesës.

Tahiri, së bashku me Jaeld Celën, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, Sokol Boden, ish-oficer policie, dhe Gjergj Kohilën, ish-oficer policie, akuzohen për “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Pas kësaj seance, pritet të ketë edhe dy seanca të tjera: një për avokatët që bëjnë mbrojtjen dhe e fundit për gjykatën që shpall vendimin, duke eliminuar kështu debatin gjyqësor.

 

Fraksion.com