AktualitetBota+Të fundit

Parlamenti britanik votoi kundër zgjedhjeve të reja

Parlamenti britanik nuk e mbështeti kërkesën e kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje të reja. Në votimet e pasmesnatës propozimi i tij u mbështet nga 293 deputetë, ndërsa kundër votuan 46 syresh, duke e lënë atë pa shumicën.

Atij i duheshin të paktën 434 vota për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri Boris Johnson tha para votimit se nuk do të kërkojë një zgjatje të afatit për largimin nga Bashkimi Evropian, ndonëse të hënën hyri në fuqi ligji që i kërkon zgjatjen e këtij afati deri në vitin 2020, nëse nuk sigurohet një Brexit me marrëveshje.

Udhëheqësit e BE-së kanë theksuar vazhdimisht se nuk kanë marrë ndonjë propozim të ri rreth kësaj çështjeje.

Ai u tha deputetëve se nëse dëshirojnë të shtyjnë Brexitin përtej 31 tetorit, të votojnë për zgjedhjet e parakohshme dhe “t’u japin mundësinë qytetarëve që të vendosin nëse duan një zgjatje të afatit apo jo”.

“Nëse refuzoni ta bëni këtë sonte, atëherë unë do të shkojë në Bruksel më 17 tetor dhe do të negociojë largimin më 31 tetor, shpresoj me një marrëveshje, por edhe pa të nëse është e domosdoshme”, tha ai.

Ai ritheksoi pas votimi se qeveria e tij nuk do të kërkojë një shtyrje të Brexitit, por do të negociojë një marrëveshje të mundshme “në interes të vendit”.

“Kjo qeveri do të vazhdojë përpjekjet për një marrëveshje duke qenë e përgatitur të largohet edhe pa një të tillë”, u tha ai deputeteve pas votimit.

Opozita tha se është në favor të zgjedhjeve, por nuk do të mbështesë organizimin e tyre pa u siguruar se është siguruar zgjatja e afatit për Brexitin.

Boris Johnson mori postin e kryeministrit në muajin korrik duke pasuar ish kryeministren Theresa May e cila dështoi të sigurojë mbështetjen për marrëveshjen e negociuar me Bashkimin Evropian.

Në një referendum të mbajtur në vitin 2016 votuesit britanikë vendosën për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Evropian. Afati fillestar ishte më 29 mars të këtij viti, por ai u shty disa herë./VOA

 

Fraksion.com