AktualitetBota+Të fundit

“Armiku” i Kosovës; Presidenti Trump shkarkon Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Bolton

Presidenti Donald Trump njoftoi se ka shkarkuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton. Zoti Trump e bëri njoftimin në Twitter, duke shkruar se “e informova John Boltonin mbrëmë se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë”.

Pavarësisht se nuk dha hollësi, Presidenti shkruan se kishte kundërshtime të forta ndaj sugjerimeve të Këshilltarit të tij. Për këtë arsye, tha ai, “I kërkova John-it dorëheqjen, e cila m’u dorëzua sot në mëngjes”.

Ai shtoi se do ta emërojë Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare javën e ardhshme.

Vetëm pak minuta më pas, zoti Bolton reagoi në Twitter, duke shkruar se kishte ofruar dorëheqjen të hënën dhe se “Presidenti Trump kishte thënë ‘le të bisedojmë për këtë nesër'”.

Shkarkimi i zotit Bolton, ishte i befasishëm për shumë në Shtëpinë e Bardhë. Vetëm një orë para mesazhit të zotit Trump në Twitter, zyra e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë njoftoi se zoti Bolton, do të dilte në një konferencë për shtyp me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe atë të Thesarit, Steven Mnuchin.

“Ata thjesht nuk binin dakord për shumë çështje,” u tha gazetarëve zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Hogan Gidley. Ai mohoi se kishte qenë një çështje e vetme që shkaktoi prishjen midis tyre.

Shtëpia e Bardhë thotë se Charlie Kupperman do të shërbejë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në detyrë.

Njoftimi i Presidentit Trump erdhi vetëm 90 minuta para se zoti Bolton të shfaqej së bashku me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin në podiumin e dhomës së shtypit në Shtëpinë e Bardhë për një konferencë.

Zoti Bolton u zgjodh nga Presidenti Trump në Mars të 2018-tës për të zëvendësuar ish-gjeneralin H.R. McMaster, si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Përzgjedhja e parë e Presidentit Trump për këtë post, Michael Flynn, gjithashtu një gjeneral në pension, zgjati më pak se një muaj para se të shkarkohej. Ai u dënua më pas se kishte gënjyer Byronë Federale të Hetimit në lidhje me një bisedë në dhjetor 2016 me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara dhe po pret dënimin.

Zoti Bolton, ish ambasadori i SHBA në Kombet e Bashkuara u fut në administratë pas një periudhe si komentues në Fox News, një televizion i cili në përgjithësi është mbështetës i Presidentit Trump.

Kishte patur njoftime se zoti Bolton kishte qenë kundër planeve për të ftuar talebanët si dhe Presidentin afgan Ashraf Ghani në Camp David për bisedime që synonin të çimentonin një marrëveshje paqeje mes SHBA dhe talibanëve.

Ka pasur gjithashtu shenja se Bolton, i vlerësuar si i linjës së ashpër në çështjet e sigurisë, gjithashtu ka patur divergjenca me presidentin në politikën për Iranin dhe Korenë e Veriut.

Zoti Bolton, gjithmonë ishte dukur si një zgjedhje e pazakontë për postin, pasi nuk përputhej me këndvështrimin izolacionist të presidentit “Amerika mbi të gjitha”, shkruan VOA.

Bolton njihej gjithashtu edhe si përkrahës i Serbisë dhe ishte kundër pavarësisë së Kosovës, në kohën që mbante detyrën e ambasadorit të SHBA-ve në OKB.

 

Fraksion.com