AktualitetBota+Të fundit

Strategjia e Kremlinit ndaj protestave për zgjedhjet

Në Rusi të dielën po zhvillohen zgjedhjet lokale dhe rajonale, të cilat vijnë pas disa muajsh protestash në Moskë dhe Shën Petersburg. Autoritetet përdorën taktika të ndryshme për të parandaluar përhapjen e pakënaqësive në të gjithë vendin dhe për të mbajtur nën kontroll çdo kundërshtim. Korespondetja e Zërit të Amerikës Yulia Savchenko njofton nga Moska se si autoritetet u përpoqën të përmbanin përhapjen e trazirave, dhe strategjitë e përdorura nga protestuesit për të mënjanuar shtypjen.

Gjatë protestave të fundit elektorale në Moskë, policia nuk përdori forcën kundër demostruesve që kishin mbushur rrugët për shkak të refuzimit nga ana e autoriteteve për të regjistruar kandidatë e opozitës në zgjedhjet lokale. Vëzhguesit nuk janë të sigurtë nëse kjo prirje do të vazhdojë. Vladimir Milov është politikan i opozitës.

“Gjatë javëve të fundit u pa qartë se dhuna nuk sjell rezultate sepse njerëzit zemërohen edhe më shumë pasi dhunohen. Nuk kanë më frikë ndërsa stimulohet aktiviteti i protestave. Ndoshta, ata vendosën të qetësohen pak dhe të shohin se çfarë do të ndodhë.”

Zoti Milov kaloi 30 ditë në burg për transmetimin e drejtpërdrejtë të protestave në YouTube dhe ndarjen e të dhënave për një tubim disa ditë më parë.

“Ishte e vështirë të qëndroje në një birucë të vogël për 30 ditë. Katër veta ndanim një sipërfaqje prej 15 metrash katrorë.”

Shumica e udhëheqësve të opozitës u liruan pak para zgjedhjeve, por të tjerë u arrestuan. Pas protestës së fundit, deputeti bashkiak dhe aktivisti i opozitës Ilya Azar u ndalua natën vonë pranë banesës së tij. Mark Galeotti është me Institutin e Sherbimeve të Bashkuara Mbretërore për Studime të Mbrojtjes dhe Sigurisë.

“Nuk duhet të befasohemi kur regjimet autoritare veprojnë në mënyrë autoritare. Kemi vënë re një seri përllogaritjesh të gabuara politike, të cilat në një farë mase reflektojnë dy gjëra: e para është pasiguria e elitës për të ardhmen. Elita nuk ndjehet e sigurtë dhe ka gjasa të frikësohet dhe të ketë reagim të tepruar. Së dyti, tejkalimi i kompetencave të aparatit të sigurisë dhe aleatët e tyre politikë, të cilët mendonin se kishin zgjidhjen për problemin, në vend të teknologëve politikë të pavendosur.”

Sidoqoftë, disa ditë para zgjedhjeve politikanët e opozitës në Moskë qëndruan të palëkundur ndaj mundësive për shtypje të mëtejshme.

“Një nga ngjarjet e mëdha është dalja jashtë Moskës, sepse jemi përqendruar ngushtë tek protestat në Moskë, ndërsa ka shumë gjëra që po ndodhin në mbarë vendin. Do të thosha se prirjet për protesta janë më të forta në rajone”, thotë Vladimir Milov.

Më shumë se 2 mijë njerëz u ndaluan në protesta para votimeve në disa rajone, kryesisht në Moskë. Shumica e të ndaluarve janë liruar, ndërsa të tjerë përballen me akuza./VOA

 

Fraksion.com