SHBA, Turqi patrullojnë zonën e kontrolluar nga kurdët në Siri
Trupat turke dhe amerikane kryen për herë të parë të dielën patrullime të përbashkëta në “zonën e sigurisë” të kontrolluar nga kurdët në Sirinë verilindore.
Ankaraja po bën presion për patrullime në zonën e ndërmjetme për t’i mbajtur luftëtarët kurdë larg kufirit të saj. Turqia i konsideron militantët kurdë sirianë si terroristë me lidhje me militantët kurdë në Turqi që kanë luftuar qeverinë turke për tre dekada. Por kurdët sirianë kanë qenë gjithashtu aleatë kryesorë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër kryengritësve të Shtetit Islamik në Siri.
Forcat e drejtuara nga kurdët janë tërhequr deri tani 14 kilometra larg kufirit, por Turqia po bën thirrje për një zone ndërmjetëse prej 30 kilometrash. Sidoqoftë, detajet për gjerësinë e zonës së sigurisë dhe kush do ta kontrollojë atë ende nuk janë vendosur.
Në katër vitet e fundit, trupave amerikane shpesh u është dashur të arbitrojnë paqen mes trupave turke dhe luftëtarëve kurdë.
Turqia është një aleat i NATO-s, por Uashingtoni dhe Ankaraja kohët e fundit kanë qenë në mosmarrëveshje për çështjet ushtarake dhe të sigurisë.
Disa orë pas përfundimit të patrullimit të parë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u tha mbështetësve: “Ne po negociojmë me Shtetet e Bashkuara për zonën e sigurisë, por po shohim në çdo hap se ajo që duam dhe ajo që kanë ata në mendje nuk është e njëjta gjë. Duket se aleati ynë po kërkon një zonë të sigurisë për organizatën terroriste, jo për ne. Ne refuzojmë një mirëkuptim të tillë “.
Erdogani tha se Turqia duhet të sigurojë “të gjithë rajonin” për të qënë në gjendje të rivendosë një milion nga 3.6 milionë refugjatë sirianë që ka pritur deri tani.
Qeveria siriane e quajti patrullimin e përbashkët amerikano-turk një “shkelje flagrante” të sovranitetit të saj dhe të “integritetit territorial”.
Fraksion.com