AktualitetNATO/BETë fundit

“Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë të burgosurit”; NATO: Një hap në drejtimin e duhur

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka bërë sot një deklaratë lidhur me shkëmimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Ne mirëpresim që marinarët ukrainas të kapur nga Rusia nëntorin e kaluar janë rikthyer përfundimisht në shtëpi, si dhe regjisori i filmave Oleg Sentsov. Ky është një hap në drejtimin e duhur. NATO vazhdon t’i bëjë thirrje Rusisë të përmbushë të gjitha detyrimet e saj në bazë të Marrëveshjeve të Minskut, përfshirë lirimin e të gjithë të burgosurve.

Në të njëjtën kohë, mbetet e rëndësishme të përcaktohet e vërteta dhe përgjegjësia për rrëzimin e fluturimit MH17, në përputhje me Rezolutën 2166 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”,  përfundon deklarata e zëdhënëses të NATO-s, Oana Lungescu.

Televizioni rus raportoi drejtpërdrejt nga aeroporti Vnukovo në Moskë. Aty mbërritën dy autobusë me të 24 marinarët ukrainas, që qëndronin të burgosur në Rusi që nga nëntori i vitit të kaluar. Në Ukrainë, presidenti, Volodymyr Selenskyj i priti të burgosurit me përqafime. Edhe të afërmit prisnin me lotë gëzimi në sy në aeroportin e Borispolit. Në avion ndodhej edhe regjisori Oleg Senzov. Regjisori 43 vjeçar ishte një nga të burgosurit më të njohur të Ukrainëa. Ai u arrestua në vitin 2014 dhe u dënua për „sulme terroriste” në Krime. Senzov e kryente dënimin në një koloni në pjesën ruse të Arktikut. Mediat kanë bërë ndërkohë të ditur, se secila palë do të lironte 35 të burgosur, por nuk ka konfirmime zyrtare për numrin e tyre.

Edhe në aeroportin ukranias u ngjitën në avionë të liruarit rusë. Sipas qarqeve qeveritare në avion ndodhej edhe ukrainasi Vladimir Zemach, që dyshohet të ketë qenë pjesëmarrës në goditjen me raketë të avionit malajzian, MH17, ku humbën jetën 298 vetë, mes tyre 196 holandezë. Një gjykatë ukrainase urdhëroi lirimin e tij me kusht. 40 deputetë ukrainas paralajmëruan në një  letër të hapur për dërgimin e Zemach në Rusi, sepse bëhet fjalë për një nga „të dyshuarit” kryesorë, thanë ata.

Sipas mediave ruse dhe ukranias, Moska e vuri si kusht lirimin e Zemach për këmbimin e të burgosurve. Të enjten presidenti rus, Putin u shpreh për herë të parë për këtë aksion duke e vlerësuar atë si „hap të madh drejt normalizimit”. „Kjo është e pashmangshme”, tha Putini. „Ne jemi dy pjesë të të njëjtit popull.”

 

Fraksion.com