AktualitetBota+Të fundit

Pronat e presidentit dhe konflikti i interesit

Administrata Trump është vënë në vëmendjen e medias pas njoftimit se Zëvendës Presidenti Mike Pence kishte qëndruar në një hotel të Presidentit Trump gjatë një vizite zyrtare që bëri në Irlandë. Kjo vjen pas sugjerimit të presidentit që vendpushimi i tij në Majemi të Floridës të shërbejë si vend për takimin e nivelit të lartë të Shtatëshes vitin e ardhshëm. Korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara njofton se si zoti Trump po i kundërvihet traditës presidenciale për të mos përzier biznesin personal me punët e qeverisjes.

Një vendpushim golfi me pesë yje në Irlandë është vënë në vëmendjen e medias, pas një vizite zyrtare të Zëvendës Presidentit Mike Pence këtë muaj.

“Qëndrimi në rezortin Trump National në Doonbeg, për të akomoduar shpenzimet e personelit të sigurisë dhe të personelit tjetër, ishte diçka logjike,” thotë zoti Pence.

Kritikët ngrenë pikëpyetje se përse duheshin përdorur paratë e taksapaguesve për të qëndruar në një hotel 300 kilometra larg nga kryeqyteti Dublin, ku zoti Pence zhvilloi takimet e tij zyrtare.

Jeremy Venook, është analist i Qendrës për Progresin Amerikan, një organizatë me prirje të majta.

“Kjo javë që kaloi ka qenë vërtet një rast tipik që flet për një presidencë që reklamon mallin e vet,” thotë analisti.

Shefi i stafit të zotit Pence tha se ishte Presidenti Trump që i kishtesugjeruar nënpresidentit të qëndronte në hotelin e tij.

Presidenti Trump e mohon këtë.

“Nuk ishte ideja ime që Majk të qëndronte atje. Ai shkoi atje sepse familja e tij ishte atje”.

Si mikpritës për samitin e ardhshëm të G7-s, Presidenti Trump tha në muajin gusht se po shikon mundësinë që rezorti i tij në Majemi të bëhet vendi pritës për takimin e vitit 2020.

“Ne kemi një seri vilash madhështore. Secila prej tyre mban nga 50 deri në 70 vetë, kanë dhoma shumë luksoze me pamje të mrekullueshme. Kemi salla të jashtëzakonshme konferencash, restorante të jashtëzakonshme, pra është diçka logjike.”

Presidentët zakonisht përpiqen të shmangin qoftë edhe perceptimin e konfliktit të interesit, duke iu përmbajtur një klauzole të rreptë kushtetuese për antikorrupsionin.

Todd Belt është profesor i politikës në Universitetin George Washington:

“Klauzola e ndalon presidentin nga çdo lloj përfitimi material që vjen si pasojë e vendimeve të marra prej tij në funksionin si president.”

Disa analistë thonë se zoti Trump është ndryshe nga të tjerët.

Vanessa Beasley është studiuese e presidencës në Universitetin Vanderbilt

“Zoti Trump duket mjaft i interesuar jo vetëm që të reklamojë pasurinë e tij, por edhe që njerëzit të kuptojnë se ai dëshiron t’i reklamojë pronat e tij.”

Për dallim nga paraardhësit e tij, Presidenti Trump nuk pranoi të heqë dorë nga bizneset e tij pas marrjes së detyrës, gjë për të cilën kritikët thonë se i hap derën konflikteve të interesit.

“Prokurori i Përgjithshëm Bill Barr organizon takime në Hotelin Trump, senatorë, njerëz të Kongresit si dhe qeveritarë mbajnë po ashtu konferenca në pronat e zotit Trump. Është mjaft e vështirë të mos e shohësh këtë si një përpjekje të koordinuar për të kënaqur Presidentin Trump duke reklamuar bizneset e tij,” thotë zoti Venook.

Presidenti mohon se ka ndonjë motiv politik.

“Unë kam shumë hotele në të gjithë vendin dhe njerëzit i përdorin ato sepse janë më të mirët. Dua të them, ju e dini, ato janë më të mirët!”

Ai gjithashtu shpesh nënvizon se sa para po humbet duke qenë president, në vend që të drejtojë bizneset e tij – një mesazh që disa studiues thonë se mund të ketë efekt tek baza e tij politike.

“A nuk është kjo në fakt arsyeja se pse disa njerëz e zgjodhën atë? Pra sepse menduan se aftësia e tij për biznes ishte aq e mirë sa kjo do të ishte diçka e mirë për vendin?” thotë zonja Beasley.

Në muajin korrik Presidenti Trump fitoi një çështje gjyqësore të ngritur kundër pronës së tij, një hotel që ndodhet shumë pranë Shtëpisë së Bardhë. Gjykata hodhi poshtë pretendimin se presidenti ka shkelur Kushtetutën duke mbledhur fitime nga zyrtarë të huaj të cilët kanë qëndruar në hotelin e tij gjatë vizitës në kryeqytetin e vendit./VOA

 

Fraksion.com