Kongresi dhe kriteret e shkarkimit të presidentit
Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve ka në plan të votojë për të përcaktuar kriteret për nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.
Kompania mediatike “Politico” njoftoi e para rreth këtij zhvillimi, duke thënë se raporti i saj bazohej në “shumë burime që ishin informuar rreth kësaj çështjeje”.
Komisioni pritet të votojë javën e ardhshme. Sipas Politico-s një projekt-rezolutë pritet të bëhet publike të hënën në mëngjes. Në artikull thuhet se demokratët “shpresojnë se një përcaktim i qartë i procesit për shkarkimin e presidentit do të forconte shanset tyre për të detyruar dhënien e dëshmive”.
Sidoqoftë mbetet e paqartë nëse ky proces do të çojë në ngritjen e një akuze ndaj presidentit si dhe nëse Senati që udhëhiqet nga republikanët do të votonte për largimin e presidentit nga detyra.
Komisione të ndryshme të Kongresit po shqyrtojnë një sërë çështjesh që lidhen me presidentin. Ato përfshijnë dështimin e tij për të publikuar deklaratat mbi të ardhurat, pagesat e bëra për të detyruar dëshmitarë që të mbyllin gojën e të mos bëjnë publike histori të sikletshme rreth tij si dhe shpenzimin e parave të taksapaguesve në hotelet dhe pronat e presidentit.
Fraksion.com