Life StyleTë fundit

Festivali i Beethovenit 2019 në Bon nën moton “Ndriçimi i Hënës”

Në mbarë botën Hëna i ka frymëzuar artistët për krijimtari të nivelit të lartë – në art, letërsi dhe muzikë. Edhe programi i Festivalit të Beethovenit 2019 në Bon ka përfituar prej këtyre veprave sivjet.

Në Bon, qyteti i Beethovenit, këtë fundjavë hap siparin Festivali 2019 i Beethovenit: Një opera komike pothuajse e panjohur e Joseph Haydn-it, në të cilën bëhet fjalë për një fluturim në Hënë, “Serenata Notturna” e Moxartit, “Nata e shpërfytyruar” dhe  “Pierrot Lunaire” e Arnold Schönberg-erit. Duke prezantuar programin e festivalit, drejtorja e përgjithshme e këtij eventi Nike Wagner nënvizoi moton sivjet – “Ndriçimi i Hënës”, – që do të përshkojë si një fill të gjitha koncertetet e planifikuara.

Ajo që karakterizon gjithashtu moton e festivalit të sivjetëm është edhe një çast përkujtimi në vigjilje të jubileut të madh të 250 vjetorit të lindjes së gjeniut të muzikës Ludwig van Beethoven. Më 2020 Boni do të kremtojë përmes eventeve të shumta kulturore dhe muzikore jubileun e kompozitorit të madh.

Në moton e sivjetme të festivalit përshtaten mjaft mirë edhe vepra të Debussys-së si “Claire de lune” si edhe pjesë të rralla të interpretuara pak deri më sot, ndër to edhe një oratorium i Robert Schumann-it si dhe opera e Beethoven-it “Fidelio” si teatër kukullash.

Sonata e Hënës e Beethovenit e intereretuar shumë herë si pjesë mësimore me nxënës të pianos dhe si kolonë zanore e çasteve ëndërrimtare në shumë filma, në festival do të zerë një vend të rëndësishëm duke u shpalosur në aspektet e shumta të saj prej interpretuesve.

Deutschland Musik Beethovenhaus in Bonn (picture-alliance/dpa)Shtëpia muze ku ka lindur Beethoven më 1770 e ka jetuar deri më 1727 në Bon.

Sonata e Hënës në origjinal mban titullin “Sonata quasi una fantasia” titullin që mban sot e mori prej shkrimtarit muzikor Ludwig Rellstab. Tri herë do të interpretohet kjo sonatë gjatë Festivalit të Beethovenit 2019, në një piano moderne koncertesh e luajtur nga pianisti francez, Pierre-Laurent Aimard, në një piano forte historike nën interpretimin e pianistit holandez Ronald Brautigam dhe në një përpunim për Korno dhe piano nga viti 1986 prej kompozitorit gjerman Giselher Klebe.

Një tjetër aspekt në programin e festivalit është sivjet përfshirja e disa veprave të Clara Schumann-it me rastin e 200 vjeotirt të lindjes së pianistes dhe kompozitores gjithashtu nga qyteti i Bonit.

Të apasionuarit e Beethovenit do të kenë rastin të ndjekin në këtë festival kompozime pak të njohura si dhe veprat madhore të kompozitorit: Pesë nga nëntë sinfonitë e tij si dhe tre koncerte për piano, një koncert për violinë dhe tri sonatat për piano janë të përfshira në program. Ansamblet pjesëmarrëse janë orkestra angleze “Orchestra of the Age of Enlightenment” nën dirigjimin  e Adam Fischer, Camerata Salzburg nën drejtimin e pianistit dhe kompozitorit Fazil Say, orkestra filharmonike e NDR me dirigjent Alan Gilbert si dhe orkestra sinfonike Çajkovski nga Moska e drejtuar nga mjeshtri i vjetër Vladimir I. Fedossejev.

Në kuadër të bashkëpunimit 20 vjeçar mes DW dhe Festivalit të Beethovenit organizohet edhe koncerti i orkestrës së të rinjve nga Afrika e Jugut “Ansambli A Cappella”.

Gjithsej marrin pjesë rreth 1800 artiste dhe artistë. Ndër ta pianistët e njohur Pierre-Laurent Aimard, Louis Lortie dhe Fazil Say, këngëtarët klasikë Christian Gerhaher dhe Sarah Maria Sun si dhe violinistja Carolin Widmann./DW

 

Fraksion.com