AktualitetNATO/BETë fundit

Detarët e NATO-s mbërrijnë në Halifax për ‘Cutlass Fury’; Stërvitja më e madhe detare në dekada

Rreth 2.800 detarë dhe avionë nga tetë vende mbritën në Halifax të premten (6 Shtator 2019) për ‘Cutlass Fury 2019’, që është stërvitja më e madhe detare e drejtuar nga Kanadaja, prej dekadash, e cila do të zhvillohej në brigjet lindore të Kanadasë. Stërvitja do të fillojë të hënën, duke iu bashkuar edhe 20 anije dhe 36 avionë në ujërat jashtë Nova Scotia dhe Newfoundland. Trajnimi do të përfshijë mbrojtjen ajrore, mbrojtjen kundër sulmit nga anijet e marinës së armikut, luftimet ajër-ajër dhe mbrojtje kundër nëndetëseve.

“Atlantiku i Veriut është jetik për sigurinë e Evropës”, tha zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu. “Ai siguron një rrugë të rëndësishme për përforcime dhe furnizime nga Amerika e Veriut në Evropë, dhe mbështet tregtinë dhe komunikimet globale. Ushtrime si Cutlass Fury ndihmojnë Aleatët tanë të mprehin aftësitë e tyre në det. ”

Trupat pjesëmarrëse në stërvitjen Cutlass Fury vijnë nga Kanadaja, Belgjika, Danimarka, Hollanda, Norvegjia, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Një nga katër grupet detare të NATO-s, Grupi i Parë i Përhershëm Detar, do të marrë pjesë në këtë aktivitet.

Ndërsa ditën e shtunë, do të zhvillohet në Bazën Halifax Kanadeze një ndeshje futbolli ku Ekipi i Amerikës së Veriut do të luajë me Ekipin Evropë për kupën e parë të futbollit Cutlass Fury.

NATO po krijon  Komandën e re Atlantike për të siguruar mbrojtjen e linjave detare të komunikimit midis Evropës dhe Amerikës së Veriut. Aleatët po rritin gjithashtu praninë e tyre në zonën e Atlantikut të Veriut, përfshirë investimet në mbikëqyrjen detare dhe avionët anti-nëndetëse, si dhe fregata dhe helikopterë.

 

Fraksion.com