AktualitetTë fundit

Abuzuan me TVSH-në; Prokuroria kërkon burg për 14 biznesmenë

Ka nisur në Gjykatën e Tiranës seanca gjyqësore ndaj 15 biznesmenëve, të cilët u arrestuan tre ditë më parë. Prokuroria ka kërkuar në seancë që vetëm njëri nga 15 biznesmenët e arrestuar për skemë mashtrimi me faturat e tatimit të vlerës së shtuar, TVSH, të lërë qelinë.

Gjyqtarja Ardiana Bera do të jetë ajo që do të caktojë masën e sigurisë për të arrestuarit, pasi të njihet me pretendimet e palëve.

Biznesmenët u arrestuan pas një operacioni të bujshëm të policisë dhe Krimit Ekonomik në kryeqytet.

Pas operacionit të gjerë, 15 biznesmenët e arrestuar të mërkurën në mbrëmje, të cilët dyshohet se krijuan një skemë mashtrimi me faturat e tatimit të vlerës së shtuar, apo të tjerë që rezultojnë të jenë aksionerë dhe pronarë të disa kompanive, Prokuroria kërkon masën arrest me burg për shumicën dërrmuese të tyre.

Gjatë seancës, prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj deklaroi se “hetimi lidhet me deklarimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve në organet tatimore. Të dyshuarit kanë krijuar skemë mashtrimi.” Ajo shtoi se nga ana e Prokurorisë po kryhet një hetim i detajuar edhe ndaj të dyshuarve të tjerë.

Drejtoria e Hetimit Tatimor ka deklaruar se “BTI”, “UniService”, “EBA Ndërtim”, “Banis shpk” dhe “Aleni shpk” dyshohet se kanë konsumuar veprën e krijimit të skemave mashtruese me TVSH-në.

Nga 15 të arrestuar, Prokuroria kërkoi arrest me burg për 14 prej tyre.

Organi i akuzës vetëm për Shkëlqim Prodanin kërkoi “arrest shtëpie”.

Prokuroria ka kërkuar për Shkëlqim Prodani, arrest shëpie dhe masën “arrest me burg”, për të gjithë të tjerët: Besnik Pelivani, Astrit Lala, Haxhi Sala, Alber Ahmeti, Ardian Bejko, Mhill Ndreca, Shpresa Joanidhi, Fatmir Firi, Paqsor Buzi, Vangjush Mbirçe, Rabi Kurti, Riza Roshi, Rrapo Baduni dhe Vasil Korita.

 

Fraksion.com