Shkarkimi i Metës, Hyseni: Raporti përfundimtar i komisionit, në seancë plenare
Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, gjatë një interviste për televizionin “A2 Cnn”, deklaroi sot se Partia Socialiste po punon fort për të adresuar në legjislacion rritjen e filtrave kontrollues të figurës së kandidatëve për Kryetarë Bashkie apo në institucione të tjera të vendit.
Sipas Hysenit, rasti i Valdrin Pjetrit është një rast i përgjegjësie personale dhe jo partiake. “Ne s’mbajmë asnjë përgjegjësi për përgjegjësit penale personale të individëve. Ne s’kemi si të mbajmë përgjegjësi për një vepër që ka kryer një individë shumë vite më parë, kur në parti ai dorëzon një kurikul të pastër. Partia nuk është hetuesi”, tha Hyseni.
“Ky është një shqetësim, një fenomen më i gjerë që kërkon adresimin e tij dhe ne po punojmë për të adresuar në legjislacion këtë problematikë, për të rritur mekanizmat e filtrimit për të mundësuar që partitë politike të bëjnë kontrollin e duhur ndaj figurave, që pavarësisht përgjegjësisë personale, kanë kosto të caktuara ndaj partive dhe publikut. Partia Socialiste asnjëherë nuk ka injoruar shqetësime të tilla”.
“PS ka vendosur filtra për herë të parë në statusin e vetë Partisë, kur asnjë forcë politike nuk i njihte këto koncepte. Ne kemi dashur të parandalojmë sa do mundemi këtë fenomen në respekt të legjislacionit. Ne shohim dhe kemi ditur se kartela e një individi ka qenë e pastër, por nuk mund të hetojmë që ky individ ka kryer një vepër. Ne menjëherë jemi distancuar nga rasti, pasi filozofia jonë është e ndarë me krimin dhe personat që kanë kryer vepra penale. Ne nuk duam që as shoqëria, Bashki të caktuara, as institucionet të marrin kosto nga veprime të gabuara. Fytyra e PS është fytyra e socialistit të thjeshtë, është programi i PS dhe kryetari i PS. Ne jemi përpjekur të zgjedhim njerëzit më të mirë”, theksoi Hyseni.
“Zgjedhjet në PS nuk i bënë një individ, por kandidatët zgjidhen me konsulta me shoqërinë civile. Por jo gjithnjë ia kemi dalë. Sado mekanizma të gjejmë, prapë mund të ketë defekte. Por, me rëndësi është që kemi vullnet të plotë politik për të mënjanuar këtë problematik”, tha Hyseni duke shtuar se Partia Demokratike ka rënë në këtë informacion për z. Pjetri në rrugë jo ligjore.
“Kjo nuk na intereson, ne vazhdojmë rrugën tonë, pasi nëse ne ndalojmë sa herë ka të lehra qeni në rrugën tonë, atëherë kurrë s’do shkojmë në destinacion. Ne s’jemi të përkryer, por duam të shkojmë në destinacion”, tha Hyseni.
I pyetur për komisionin hetimor të ngritur për shkarkimin e Presidentit, Hyseni garantoi se parlamenti do të kryej funksionin e tij sipas ligjit në fuqi. “Komisioni hetimor u mblodh për të përpiluar hapat që do ndjekin, grumbullimin e informacionit apo marrjen në pyetje të zyrtarëve të ndryshëm për të konkluduar me një raport që do t’i paraqitet seancës plenare të Kuvendit. Komisioni hetimor vendosi dje thirrjen e presidentit në komision. Nëse paraqitet ose jo presidenti nuk përbën interes për mua, por fakti që ai është thirrur, e ka për detyrim të paraqitet”, tha Hyseni.
Lidhur me reformën zgjedhore, deputeti nënvizoi se ajo do realizohet në bashkëpunim me opozitën. “Rëndësi ka që të jemi dakord parimisht me opozitën. Ne jemi të vendosur të respektojmë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ne jemi të gatshëm të depolitizojmë të gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve. Po ashtu jemi të vendosur t’i japim mundësi edhe emigrantëve për të votuar, pasi japin një kontribut të rëndësishëm për vendin tonë. Në komision e ftuar dhe opozita jashtë kuvendit”, përfundoi Hyseni./ata
Fraksion.com