“Rruga e Mëndafshit”: Perëndimi nuk ka pse të fshihet para Kinës
Perëndimi po nxirret jashtë loje nga Kina në “Rrugën e re të Mëndafshit”? Sipas studimit të fondacionit “Bertelsmann” Europa investon njësoj në itinerarin me një numër të madh vendesh, mes tyre edhe Shqipëri e Serbia.
Investime të njëjta
Sipas studimit nga vendet perëndimore kanë rrjedhur afër 290 miliardë dollarë (263 miliardë euro) në vitet 2013-2017 në vendet e “Rrugës së Mëndafshit”. Kurse nga Kina kanë ardhur në këtë periudhë afër 285 miliardë dollarë investime. Studiuesit kanë marrë në shqyrtim 25 vende në Azinë Qendrore, Afrikën dhe Europën Lindore. Si vende donatore perëndimore konsiderohen vendet e BE, SHBA dhe Kanadaja.
Analiza tregon, se për 16 nga 25 vendet e shqyrtuara, livrimet financiare nga vendet perëndimore janë më të rëndësishme se ato nga Kina. Vetëm për pesë vende Kina është partner më i rëndësishëm, sidomos për Pakistanin, Kazakistanin dhe Laosin.
Shqipëria renditet në këtë studim, si vend që kryesisht livrimet financare i vijnë nga Perëndimi, kurse tek Serbia megjithëse një pjesë e mirë e donacioneve vijnë nga Perëndimi, ato kineze zenë një vend të rëndësishëm.
Fondacioni Bertelsmann e këshillon BE “të paraqitet më me vetëbesim si partner në vendet në tranzicion”. BE nuk ka nevojë të qëndrojë në “pozicione të kundërta me Kinën”, por të kujtojë qëllimet e njëjta dhe të mbledhë partnerët në këto rajone, thuhet në studim.
“Rruga e re e Mëndafshit” u lançua në vitin 2013 nga presidenti kinez, Xi Jinping dhe synon rigjallërimin e itinerarit të dikurshëm historik, mes hapësirës së Mesdheut dhe Azisë Lindore duke ngritur rrjete të reja tregtare dhe qarkullimi mes kontinenteve. Kina financon një sërë portesh të reja, linja hekurudhore, rrugë, parqe industrialë në Azi, Afrikë dhe Europë. Pekini kërkon me këtë të krijojë tregje të reja. Sipas ekspertit të fondacionit Bertelsmann, Bartsch kjo iniciativë e Kinës “duhet të jetë shtysë, që të angazhohet më shumë në vendet në tranzicion.” Sepse matur me fuqinë ekonomike, angazhimi kinez është 3,7 herë më i madh se ai perëndimor./DW
Fraksion.com