“Gruaja e Palmerit s’merret me politikë”; Analisti serb-Daçiqit: Ajo nuk i mbështet njerëzit e Millosheviqit
Prejardhja e gruas së Matthew Palmer është shndërruar në temë diskutimi në një forum në Bled të Sllovenisë. Ka qenë Ivica Daçiq i cili është munduar që të shfrytëzojë një detaj të tillë në favor të Serbisë. Megjithatë analisti serb, Dushan Janjiq, thotë se ajo nuk ka të bëjë me politikën dhe se nuk i mbështet njerëzit e Millosheviqit. Përgjigje për deklarimet e Daçiq ka pasur edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, duke thënë se deklarime të tilla kanë bërë që askush të mos e marr seriozisht Ivica Daçiqin.
Ministri në largim i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë se nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi në dialogun Kosovë-Serbi, fakti që përfaqësuesi special i SHBA’së, Matthew Palmer, është dhëndër i Serbisë.
Pacolli në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se ka pasur disa takime me Palmer dhe se në asnjë moment nuk ka vërejtur ndonjë element që ai mund të jetë i një anshëm.
“Unë nuk kam parë asnjë moment në takimet që i kam pasur me të, nuk kam vërejt asnjë element që ai mundet me i privilegjuar serbët përballë shqiptarëve në këtë rast”, ka thënë Pacolli.
Pacolli thotë se ka qenë i pranishëm në momentin kur Daçiq e ka përmendur prejardhjen e gruas së Matthew Palmer, duke shtuar se të gjithë që ishin të pranishëm në atë takim në Bled të Sllovenisë nuk i kanë marrë seriozisht fjalët e shefit të diplomacisë serbe.
“Po e vërtetë kam qenë aty kur e ka thënë. Çdo kush në publik e ka marrë me shaka. Nuk besoj absolutisht që Palmeri është dhëndër i serbëve mund të ndikojë në dialog. Ai është njeri i pjekur, njeri i SHBA’ve. Ai ka me punuar për kauzën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me e qu në vend atë mision në mënyrë dinjitoze”, shprehet ish-presidenti i Kosovës.
Madje kreu i AKR’së ka zbuluar edhe një detaj tjetër interesant, duke thënë se Daçiq e ka përmendur edhe prejardhjen e gruas së presidentit të SHBA’së, Donald Trump.
Sipas Pacollit, Daçiqin askush nuk e merr më seriozisht në asnjë forum ku merr pjesë.
“Ai e ka përmendur dje edhe Trumpin si dhëndër të kësaj ane. Atë që e thotë z.Dacic nëpër forume të ndryshme, askush nuk e merr seriozisht. Ai është shndërruar në një objekt talljeje”, ka përfunduar Pacolli për Gazetën Express.
Lidhur me këtë Gazeta Express ka kontaktuar edhe analistin serb dhe njohësin e rrethanave në Ballkan, Dushan Janjiq.
I pyetur se a mund të ketë ndonjë rol në dialog fakti që gruaja e Palmer është serbe, Janjiq ka thënë se ajo s’ka të bëjë fare me politikën në Serbi.
Ndërkohë ka pasur edhe një mesazh të ashpër për Ivica Daçiqin, duke thënë se amerikanët nuk bashkëpunojnë me njerëz të Sllobodan Millosheviqit.
“Ajo është jashtë politikës në Serbi, dhe 100 për qind nuk do të mbështesë njerëz të Millosheviqit”, ka thënë Janjiq.
Ky debat për prejardhjen e gruas së zv. ndihmës sekretarit amerikan, Matthew Palmer, është hapur në Bled të Sllovenisë nga Ivica Daçiq, i cili ka thënë e nuk presin asgjë nga Palmer, por nga gruaja e tij po.
Një gjë e tillë ishte marrë me sportivitet nga Palmer, i cili një deklaratë të tillë të Daçiqit e kishte kaluar vetëm me një buzëqeshje.
Matthew Palmer para pak ditësh është caktuar në postin e përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor nga Sekretari i Shtetit, Mike Pomepo. Palmer ka treguar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë pika kryesore e agjendës së tij në rajon.
Ndërkohë njerëzit që e njohin Palmer, e shohin atë si një njeri mjaft profesional dhe të paanshëm./GazetaExpress
Fraksion.com