Dëshmia në Gjykatë për Babalen, Bardhi: Proces i montuar politikisht
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka akuzuar se procesi që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës për çështjen “Babale” është i montuar politikisht.
Pasi dha dëshminë e tij për informacionet që ka mbi këtë çështje, Bardhi tha qëllimi i këtij procesi “është që të intimidojë përfaqësuesit e opozitës që të mos denoncojnë personat e lidhur me krimin.”
Ai tha se në 24 korrik ka marrë njoftimin e vetëm nga gjykata për tu thirrur si dëshmitar, por se për shkak të një aktiviteti politik, nuk ka mundur të paraqitet.
“Në tej nuk kam pasur asnjë njoftim, pasi nëse do kisha pasur do isha paraqitur në çdo moment që do isha thirrur nga gjykata. Kur e mësova nga media, jam paraqitur për të dëshmuar në gjykatë”, u shpreh Bardhi.
Ai tha se Fredi Alizoti pretendon se është takuar me të, por nënvizoi se “atë zotëri” e pa për herë të parë në sallën e gjyqit, ndryshe nga Albert Veliu- Babalja, për të cilin tha se është takuar ditën kur dhe bënë denoncimin publik.
“Çdo denoncim që ka bërë PD për përdorim politik, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes dhe pandëshkuershmërisë për vëllanë e ish-ministrit brendshëm Fatmir Xhafaj, vijon sot e kësaj dite të mos ketë rezultat. Ende nuk ka rezultat për hetimin pasuror të Agron Xhafajt, nëse është provuar apo jo se pasuria e tij është vendosur nga aktiviteti kriminal”, u shpreh ai.
Bardhi u paraqit në seancë vullnetarisht, pasi gjykata kishte urdhëruar shoqërimin me forcë për në gjyq. Ai ka deklaruar se urdhri për shoqërim të detyrueshëm është i paligjshëm.
Partia Demokratike publikoi në maj të 2018-ës një audio-përgjim, në të cilin pretendohej se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bisedonte me ‘Babalen’ për trafik droge.
Fraksion.com