Fluksi i fëmijëve në Pediatri, Manastirliu: Që sot, hapim 3 qendra shëndetësore 24 orëshe
Dditët e fundit në Urgjencën e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka pasur një fluks të lartë pacienësh
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur hapjen e parakohëshme të qendrave shëndetësore 24 orëshe për urgjencat pediatrike.
Ministrja Manastirliu pa nga afër situatën në Pediatrinë e Tiranës, ku vlerësoi punën e stafit mjekësor në përballimin e situatës dhe lajmëroi hapjen e qendrave të reja për të shfryrë fluksin në QSUT.
“Nisur nga fluksi i lartë i rasteve gjatë tre ditëve të fundit, edhe pse është një periudhë e pazakontë e vitit, kemi vendosur të hapim tre qendra rehidrimi me shërbim 24 orë, në mënyrë që prindërit t’i çojnë fëmijët pranë qendrave shëndetësore për të marrë perfusion apo shërbimin e pediatrit, pa patur nevojë të presin me rradhë të gjata në QSUT”, tha Manastirliu.
Që nga sot, 3 qendra shëndetësore do të jenë 24 orë në Tiranë, për shërbimin e Pediatrisë, më konkretisht: Qendra Shëndetësore nr.7 në Laprakë, Qendra Shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-bllokut dhe Qendra Shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut kthehen me shërbim 24 orë për urgjencat pediatrike.
Në 3 qendrat shëndetësore do të kenë mjediset ku do të kryhen vizitat dhe asistohen fëmijët e sëmurë edhe për serume dhe për barna apo materiale mjekësore.
Gjithashtu, çdo qendër shëndetësore në Tiranë ofron shërbimn edhe pasdite, deri në orën 20:10. Ndërsa hapja e tre qendrave të reja, pa afat, do t’i shërbejë fluksit të natës në Pediatri.
Gjatë vizitës në Pediatri, Manastirliu bëri dhe një apel për prindërit. “Gjatë bisedës me mjekët u informova se 70% e rasteve nuk janë raste urgjence, që fare mirë mund ta marrin shërbimin, pa pritur, pranë qendrave shëndetësore, ndaj do t’ju kërkoja që të përdorni qendrat shëndetësore, ku shërbimi ofrohet në kushte shumë të mira dhe nga ekipe mjekësh dhe infermierësh profesionistë”, tha Manastirliu.
Gjatë ditëve të fundit në shërbimin e Urgjencës Pediatrike janë paraqitur rreth 1200 pacientë.
Fraksion.com