AktualitetDialogKosovaTë fundit

Dy senatorë amerikanë vizitojnë Kosovën dhe Serbinë

Dy senatorët amerikanë, demokrati Chris Murphy dhe republikani, Ron Johnson, pritet të qëndrojnë gjatë javës në Kosovë dhe Serbi, për të diskutuar me udhëheqësit e të dyja vendeve lidhur me procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Të dy senatorëve u është ndaluar një vizitë e planifikuar në Moskë, ku do të qëndrojë një delegacion i Kongresit amerikan.

“Rusia nuk na lejon brenda, por Ron Johnson dhe unë do të vizitojmë Ukrainën, Serbinë dhe Kosovën këtë javë, për të dëshmuar mbështetjen dypartiake për qeverinë e re të Ukrainës dhe për bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shkroi senatori Murphy në një postim në rrjetin twitter.

Vizita e tyre në Ballkan ndodhë pak ditë pasi që sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo emëroi zëvendës ndihmësin e tij Matthew Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Emërimi i tij shihet si një dëshmi e përfshirjes më të madhe të Shteteve të Bashkuara në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Plamer, i cili po merr pjesë në punimet e Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, ka theksuar se qëllimi i tij është “t’i kthejë palët në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje”.

Në një intervistë për mediet serbe ai citohet të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara do të donin të shihnin “njohjen e ndërsjellë si pikën qendrore të marrëveshjes”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Zoti Palmer thotë se angazhimi i Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nxiti vendosjen e tarifave dhe ato u shndërruan në pengesë për përparimin e bisedimeve, meqë Beogradi i sheh si arsye që të mos kthehet në tryezën e bisedimeve.

“Kjo nuk ndihmon. Lobimi tek vendet e vogla që të tërheqin njohjet, mbase është një sukses taktik i Serbisë, por i kushton Beogradit në ruajtjen e interesit të tij për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim. Shpresoj që të dyja palët do të kuptojnë interesin e tyre dhe do të arrijnë një marrëveshje”, citohet të ketë thënë ai.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet që të integrohen në Bashkimin Evropian, një aspiratë e rajonit të Ballkanit Perëndimor që përballet edhe me lodhjen e vendeve anëtare të bllokut nga zgjerimi.

Të hënën shefja në largim e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini tha se është në interesin e vet bllokut që të përfshijë vendet e Ballkanit.

Vazhdimi i këtyre bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që mbahen më 6 tetor. Diplomatët shpresojnë që një qeveri e re të formohet shpejt pas këtyre zgjedhjeve dhe të rihapin bisedimet para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

 

Fraksion.com