AktualitetBota+Të fundit

10 kandidatë demokratë në debatin e shtatorit

Tashmë janë përcaktuar pjesëmarrësit në debatin e ardhshëm presidencial në shtator. Dhjetë kandidatë demokratë u kualifikuan për këtë debat që do të zhvillohet në Hjuston të Teksasit më 12 shtator. Këtë radhë paraqiten para votuesve gjysma e numrit të pretendentëve që morën pjesë në dy debatet e mëparshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone njofton mbi domethënien dhe rëndësinë e këtij debati në procesin për përzgjedhjen e kandidatit demokrat që do të sfidojë Presidentin Trump në nëntor 2020:

Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, aktualisht renditet në krye të anketave mes pretendentëve që u kualifikuan për debatin e tretë të kandidatëve demokratë për president.

“Duhet ta ndreqim këtë vend. Nuk mjafton vetëm të mundim Donald Trumpin. Ajo do të jetë arritja më e madhe, por më pas duhet të bashkojmë vendin. Duhet të rikthejmë unitetin mes njerëzve,” tha zoti Biden.

Për herë të parë, Joe Biden do të jetë në skenë me një rivale kryesore, Senatoren nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren.

Zonja Warren ka forcuar pozitat në anketa, duke premtuar ndryshime rrënjësore në vend.

“Gjërat nuk ndreqen me një ligj të thjeshtë këtu, me ca rregullore aty. Gjërat rregullohen me ndryshime të mëdha strukturore. A jeni gati për ndryshime?” pyet zonja Warren.

Në debat do të marrë pjesë edhe Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders. Ai po përpiqet të kapë në anketa zonjën Warren, e cila është e dyta pas zotit Biden.

“Nuk po flasim për diçka utopike. Po flasim për një vend ku njerëzit të jetojnë me dinjitet e siguri. Këtë mund ta arrijmë së bashku,” thotë zoti Sanders.

Kandidatë të tjerë në debat do të jenë Senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, Kryebashkiaku i qytetit Sauth Bend, të Indianës, Pete Buttigieg, Senatori nga Nju Xhërsi, Cory Booker, ish-ligjvënësi nga Teksasi, Beto O’Rourke, Senatorja nga Minesota, Amy Klobuchar, ish-sekretari i strehimit, Julian Castro dhe biznesmeni Andrew Yang.

Për ata që nuk u kualifikuan kjo ishte një goditje e rëndë, thotë Susan Page:

“Kur ka kaq shumë kandidatë, është vështirë të biesh në sy si dhe të sigurosh përkrahjen e votuesve. Nëse nuk arrin të marrësh pjesë në debat, bëhet edhe më e vështirë,” thotë zonja Page, e cila punon për gazetën “USA Today”.

Senatorja nga Nju Jorku, Kirsten Gillibrand është një nga pretendentët që nuk arriti të sigurojë pjesëmarrjen në debat dhe reagoi duke i dhënë fund fushatës:

“Ka rëndësi që njeriu ta kuptojë kur nuk është momenti i duhur dhe se ka mënyra të tjera më të mira për t’i shërbyer vendit e komunitetit,” tha senatorja.

Standartet më të rrepta që po zbatohen tani e bëjnë më të vështirë që kandidatët të sigurojnë pjesëmarrjen në debat, thotë analisti Darrell West.

“Grupi do të zvogëlohet gjatë vjeshtës ndërkohë që afrojnë zgjedhjet e para brenda partisë. Ndoshta mund të mbeten rreth 12 kandidatë që vazhdojnë seriozisht garën”.

Ndër ata që nuk siguruan pjesëmarrjen në debat ishin edhe guvernatori i Montanës, Steve Bullock, ligjvënësja nga Havaji Tulsi Gabbard dhe aktivisti e sipërmarrësi miliarder, Tom Steyer./VOA

 

Fraksion.com