Mungesa e gravitetit vret qelizat e kancerit
Mjaftojnë 24 orë pas vendosjes në gjendjen e mungesës së gravitetit që të shuhen më shumë se 80% e qelizave kanceroze të testuara, kanë zbuluar studiuesit australianë.
„Shumë vetë në shoqërinë tinë papritur u sëmurën me kancer, dhe kjo më ka motivuar që të studioj, se çfarë ndodh me qelizat e kancerit”, thotë Joshua Chou, studiues në Universitetin Teknologjik të Sydneyt. „Nuk ka ndonjë çelës të artë për të shëruar kancerin, sepse çdo tip kanceri është i ndryshëm nga tjetri dhe njerëzit reagojnë ndryshe ndaj tij. Megjithatë dëshiroja të dija, a ka diçka, që kanë të përbashkët këto qeliza kanceroze? Prandaj i futa ato në aparatin e mikrogravitacionit”.
Eksperimentet me vendosjen artificiale në gjendjen e mungesës së rëndesës ishin jashtëzakonisht të suksesshme: „Ne kemi testuar katër lloj qelizash kanceroze, nga pjesë të ndryshme të trupit – të gjoksit, vezoreve, mushkërive dhe hundës – i vendosëm ato në në gjendjen e mungesës së gravitetit. Këtu zbuluam, se brenda 24 orësh 80%-90% e këtyre qelizave ngordhën komplet”, thotë Chou.
Përgatitje për studime në gjithësi
Bashkë me asistentin e tij, Anthony Kirollos, studiuesi kërkon të dërgojë në stacionin kozmik ndërkombëtar, ISS qeliza kanceroze. „Ne duam të zbulojmë, nëse është vërtet mikrograviteti, që ndikon tek qelizat kanceroze, apo janë gjëra të tjera në gjithësi, si për shembull rrezatimi diellor?”
Përgatitjet për këtë hap kanë filluar intensivisht, eksperimente të tilla janë vërtet shumë të komplikuara. „Nga ana teknike është e vështirë, por ndodhemi edhe para sfidës, që t’i mbajmë gjallë këto qeliza dhe t’i kthejmë sërish në Tokë.”
Konfirmim i studimeve të mëparshme
Këto sfida i njeh edhe studiuesja, Prof.Dr. Daniela Grimm nga Universiteti i Magdeburgut, dega e biologjisë së gravitacionit dhe mjekësisë regjenerative. Në intervistë me Deutsche Wellen ajo shprehet e entuziazmuar për rezultatet nga Australia. „Gëzohem shumë! Ky është një konfirmim i madh i rezultateve tona studimore, në një kohë që kolegu australian ka bërë eksperimente me lloje të tjera të kancerit.”
Në vitin 2017 një anije kozmike kineze ka dërguar disa eksperimente të biologëve të mbledhur me Prof. Dr. Daniela Grimm në stacionin kozmik, ISS. Në enët e posaçme, të mëdha sa një celular, „Thyroid Cancer” ishin futur qeliza kanceroze të tiroideve. Ka dy dekada që studiuesit shohin se si zhvillohen qelizat në gjendjen e mungesës së gravitetit në grumbuj qelizorë tredimensionalë, të quajtur sferoidë. Cilësitë e këtyre sferoidëve i ngjasojnë tumoreve në trupin e njeriut, shumë më tepër se kulturat qelizore dydimensionale të mbjella në laboratorë. Këto sferoidë përdoren për kërkimin e biomolekulave, të cilave mund t’u përngjitet një substancë. Sepse në sferoidë ka proteina të ndryshme, të cilat ndër të tjera mund të shkaktojnë „vdekjen e programuar të qelizave.”
Ky urdhër „vetëvrasës” biologjik, kujdeset që në qelizat e shëndetshme të ngordhin qelizat e plakura ose të dëmtuara. Tek qelizat kanceroze kjo vdekje qelizore nuk funksionon më. Qeliza e sëmurë jeton dhe vazhdon të ndahet më tej, duke bërë të lindë sëmundja e kancerit.
Qëllimi i studiuesve është zhvillimi i ilaçeve që aktivizojnë apo bllokojnë proteina të caktuara. Për këtë bota studimore ka nevojë për gjendjen e mungesës së gravitetit./DW
Fraksion.com