Familjet me status të përkohshëm pa siguri për të ardhmen
Më shumë se 300 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë status të mbrojtur e të përkohshëm. Kjo i lejon këta persona që nuk janë shtetas të SHBA-së të jetojnë dhe punojnë këtu, në raste kur vendet e tyre cilësohen si të pasigurta. Por, administrata e Presidentit Trump po përpiqet ta eliminojë këtë program dhe kjo ka shqetësuar shumë familje.
Një njoftim i bërë nga sekretarja e sigurisë kombëtare Kristjen Nielsen në vitin 2018, pothuajse ia përmbysi jetën familjes Ayala.
Ajo bëri thirrje për mbylljen e programit të quajtur Status i Mbrojtur dhe i Përkohshëm. Ky program u shërben emigrantëve nga El Salvadori, Nikaragua, Hondurasi dhe Sudani, që kanë braktisur vendet e tyre për shkak të luftërave, katastrofave natyrore, ose rrethanave tjera jo të zakonshme.
“E vërteta është se fëmijët tanë nuk kanë ditur shumë për statusin tonë deri para katër vitesh. Vajza e madhe e kuptoi statusin që kur filloi aplikimin në kolegj”, tha përfituesja nga ky program, Elsy Flores Ayala.
Familja Ayala arriti në SHBA në vitin 2001, kur El Salvadori u godit nga një tërmet.
Pasi morën statusin e përkohshëm, ata gjetën shtëpi, punë dhe bënë dy fëmijë.
“Kemi jetuar në Shtetet e Bashkuara për më shumë se 20 vite. Ndjejmë se kjo është shtëpia jonë. Fëmijët ndihen po ashtu”, thotë Jose Ayala, përfitues i programit.
Mbyllja e programit nënkupton largimin e familjes Ayala nga Shtetet e Bashkuara.
Vendimi po sfidohet në gjykatë.
Qarku i nëntë i Gjykatës së Apelit dëgjoi argumentet në fillim të muajit.
“Me shumë gjasa, ky rast do të përfundojë në Gjykatën e Lartë. Emërimi i gjyqtarit të fundit e ka bërë këtë gjykatë më konservatore, prandaj mund ta humbasim sfidën. Por, jemi të vendosur të luftojmë deri në fund”, tha avokati i emigracionit Diego Ferreyra.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka refuzuar të komentojë, me arsyetimin se nuk prononcohet për raste gjyqësore aktive.
Por, ata thanë se ligjet e tanishme kërkojnë rishikimin nëse këta persona ende mund të kualifikohen për programin dhe dhënia fund e statusit varet nga ndryshimi i rrethanave në vendet përkatëse./VOA
Fraksion.com