“Blloku”; Shiste kokainë për klientët; Arrest për herë të dytë për biznesmenin 38-vjeçar
Pronari dhe administratori i një lokali të njohur në zonën e ish-Bllokut janë arrestuar nga forcat e Antidrogës së Policisë së Tiranës, pasi dyshohet se u shisnin kokainë klientëve.
Bashkë me ta janë vënë në pranga një nga kamerierët e lokalit, si dhe një klient. Ndërsa disa të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Biznesmeni 38-vjeçar, Orial Peçi, rezulton të jetë arrestuar edhe në prill të vitit 2018, po për të njëjtën akuzë.
Në lokalin e tij, që vitin e kaluar kishte një tjetër emër, ai u prangos për shpërndarje kokaine. Edhe mbrëmjen e së shtunës, Peçi u arrestua pasi gjatë një kontrolli të brendshëm dhe të jashtëm nga forcat e Policisë, u gjetën disa doza kokainë. Burime zyrtare të Policisë thanë dje se pronari i lokalit, në bashkëpunim edhe me administratorin, Arbër Alkurtaj, që po ashtu u arrestua, përdornin kamerierët dhe banakierët për t’u shitur lëndë narkotike të llojit kokainë, klientëve të ndryshëm.
Gjatë operacionit të koduar “Blloku”, Policia bëri të mundur arrestimin e 4 personave të dyshuar për këtë veprimtari të jashtëligjshme. OPERACIONI Seksioni i Narkotikëve në Policinë e Tiranës, pas një pune hetimore, në kuadër të procedimit penal të vitit 2019, ndjekur me metoda speciale të hetimit dhe në zbatim të Vendimit të Gjykatës së Tiranës, finalizoi me sukses operacionin policor “Blloku”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 4 persona.
Sipas Policisë, të arrestuarit janë: Orial Peçi, 38 vjeç, për kryerjen e veprave penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim (pronar i lokal ndodhur në zonën e ishBllokut); Arbër Alkurtaj, 22 vjeç, për kryerjen e veprave penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim (administrator i lokalit); A. Ll., 30 vjeç, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” (kamerier i lokalit); E. H., 31 vjeç, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” (klient i lokalit). Policia tha gjithashtu se janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetas për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe një shtetas tjetër për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe e municionit”./Panorama
Fraksion.com