AktualitetBota+Të fundit

Si po e menaxhon Turqia rikthimin e luftërave të shtetit islamik

Ajo ditë është rrënjosur thellë në kujtesën e Suheylas. Ajo i kishte ftuar fëmijët e saj për darkë dhe ndërkohë po përgatiste pjatën e preferuar të djalit më të vogël, por ai nuk u shfaq kurrë në derën e shtëpisë, së bashku me katër motrat e tij. Kur asnjëri prej tyre nuk po i përgjigjej në telefon, ajo dhe burri i saj, Lutfu, e kuptuan se çfarë kishte ndodhur.

Ata vrapuan në stacionin e parë të policisë për t’u kërkuar ndihmë autoriteteve mbi fëmijët e zhdukur. Një muaj më vonë një prej vajzave të Suheylas telefonoi. Ajo së bashku me motrat e saj, më e reja 18 vjeç dhe më e madhja 27 vjeç, së bashku me nusen e vëllait të tyre dhe me djalin e mitur kishin kaluar ilegalisht në Siri dhe ishin bashkuar me Shtetin Islamik (IS), shkruan The Economist.

E gjithë kjo ngjarje ndodhi në fund të vitit 2015, ndërsa sot, tre nga vajzat e saj janë pas hekurave në Bagdad, pasi u kapën nga forcat irakiane rreth dy vjet më parë. E katërta vdiq në burg, dy muaj pasi solli në jetë djalin e saj. Që nga 2017, ata nuk kanë asnjë lajm nga vëllai i tyre Yasin. Në fillim të kësaj vere, Suheyla dhe Lutfu (të cilët nuk janë emrat e tyre të vërtetë) u bashkuan me nipërit e tyre, njëri një vjeç dhe tjetri dy, të cilët u riatdhesuan nga Iraku. Njëri nga nipërit e Suheylas ishte plot me puçrra dhe shenja si pasojë e zgjebes që i kishte rënë kur ishte në burg me nënën e tij. Ai arriti të mbijetonte vetëm në sajë të qumështit të gjirit të tezes së tij.

Në apartamentin e tyre në Esenler, në një prej zonave konservatore të Stamboll, Suheylas i mbushen sytë me lot teksa shikon në telefon fotot e vajzave të saj. Ashtu si prindërit e tyre, ata ishin myslimanë të mirë, të devotshëm, kujton ajo, por nuk ishin fanatikë. Prindërit e tyre nuk ishin aspak në dijeni të radikalizimit të tyre, por në më pak se një muaj ata ishin tjetërsuar, shprehet Suheyla.

Vajzat e saj shkëmbyen shamitë me dizenjo të ndryshme për burkën e zezë, ndërsa djali i saj filloi të rriste mjekrën. Shpeshherë ata flisnin me lëvdata për kalifatin vrasës që Shteti Islamik (IS) kishte krijuar në pjesë të ndryshme të Irakut dhe Sirisë. “Nuk mund të arsyetoje me ta. Dukej tamam sikur ata vuanin nga një sëmundje e pashpjegueshme”, shprehet babai i tyre Lutfu.

Që nga fillimi i luftës në Siri, të paktën 2,000 turq thuhet se u janë bashkuar mijëra xhihadistëve të huaj që kaluan përtej kufirit jugor të Turqisë për t’iu bashkuar dhe për të luftuar së bashku me IS-in ose me al-Kaedën. Qindra prej tyre vdiqën në fushën e betejës. Disa prej tyre u shndërruan në kamikazë që shpërthyen bombat brenda shtëpive të tyre. Midis 2015 dhe fillimit të 2017, së paku 300 njerëz vdiqën si pasojë e një duzine sulmesh nga forcat IS në të gjithë Turqinë. Sipas zyrtarëve, shumica e terroristëve ishin shtetas turq. Sot, rreth 500 terroristë me kombësi turke dhe 700 me kombësi të huaj janë prapa hekurave në burgjet turke. Ndërsa qindra gra turke që iu bashkuan këtij grupi, duke përfshirë edhe vajzat e Suheylasë, mbahen në Bagdad.

Teksa kalifati filloi të shembej, një pjesë e madhe e militantëve vërshuan për në Turqi. Dhe pikërisht tani vjen edhe pjesa më e vështirë, sepse i mbetet Turqisë që të përballet me ata militantë, si vendas dhe të huaj, të cilët janë kthyer nga Iraku dhe Siria, dhe me të gjithë ata të tjerë që planifikojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Edhe pse me vonesë, shteti ka filluar të përqendrohet në parandalimin e tyre dhe në politikat që kanë të bëjnë me rehabilitimin e tyre.

Qeveria po organizon seminare për fëmijët turq dhe ata refugjatë, për t’i indoktrinuar ata kundër propagandës së IS-it. Drejtoria e Çështjeve Fetare, e cila mbikëqyr mësimin e Islamit, ka dërguar në burgje mësues të trajnuar teologjie për të punuar me ekstremistët fetarë. Programi ka rezultuar të jetë i suksesshëm, sepse një numër i madh grash, të cilat ishin zotuar për besnikëri deri në vdekje ndaj IS-it, dhe që më pas nuk pranuan të gjykohen nga një gjykatë turke, ndryshuan mendim mbi sjelljen dhe besimin e tyre, duke hequr dorë nga IS dhe për rrjedhojë, u lanë të lira. Zyrtarët e burgut thonë se ata po bëjnë të pamundurën që t’i mbajnë ekstremistët në qeli si larg njëri-tjetrit ashtu edhe larg të burgosurve të tjerë.

Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të zbatohet realisht. Situata u përkeqësua edhe më shumë në vitin 2016, kur si pasojë e një grushti shteti, burgjet u mbipopulluan më shumë se kurrë. Megjithatë, sot duket sikur situata është disi më e stabilizuar në Turqi. Që nga periudha e vështirë ndërmjet viteve 2015-2017, sulmet me bomba duket se janë reduktuar në masë. Sipas zyrtarëve turq, kjo është bërë e mundur në sajë të përmirësimit të koordinimit midis agjencive që luftojnë krimin, si dhe nëpërmjet një spastrimi të gjerë të institucioneve shtetërore nga anëtarët e lëvizjes Guleniste, një vëllazëri islamike e akuzuar për drejtimin e grushtit të shtetit të vitit 2016.

Analistët thonë se forcave të policisë dhe atyre të shërbimeve të fshehta iu desh pak kohë që të infiltroheshin në rrjetet e IS-it për të zbuluar më pas bazat e tyre më të rëndësishme. Policia turke thotë se ka shmangur të paktën 28 sulme të mëdha që prej vitit 2014, duke përfshirë këtu një masakër të planifikuar në një qendër tregtare të Stambollit. Sfida më e madhe me të cilën duhet të përballen autoritetet turke është ai i eksodit nga Siria. Edhe pse kalifati i tyre u shkatërrua nga luftëtarët kurdë dhe sulmet ajrore amerikane, shumë luftëtarë të IS-it arritën të shpëtonin duke u arratisur në Irak. “Nëse tre vjet më parë ne ishim duke ndjekur terroristët që ishin gati të hidheshin në erë, sot ne jemi duke zhvilluar operacione që të parandalojmë IS-in që të financojë për hyrjen e tyre në Turqi”, shprehet një zyrtar që punon në agjencinë shtetërore kundër-terrorizmit.

Turqia dikur akuzoi qeveritë perëndimore se ato nuk ishin treguar të kujdesshme sa duhet për të zbuluar terroristët që në aeroporte, duke mos lejuar lëvizjen e tyre për në shtete të tjera. Sot, Turqia po i akuzon ata sërish, duke thënë se po përpiqen që t’i dërgojnë ata sërish në shtetin turk. Sipas zyrtarëve, 775 persona të huaj të dyshuar po mbahen në qendrat e dëbimit, duke pritur që të dërgohen në vendet e origjinës. Duke qenë se shumica prej tyre i kanë grisur pasaportat e tyre, dhe se konsullatat shpeshherë tregohen tejet të ngadalta në sigurimin e dokumenteve të reja për ta, vonohet njëkohësisht edhe dëbimi i tyre për në vendet e origjinës.

Ka edhe nga ata persona të cilët janë privuar nga shtetësia e tyre, duke e bërë të pamundur riatdhesimin e tyre. Për shkak se ata mund të mbahen vetëm për 12 muaj, të gjithë prej tyre presin që të lirohen pas një periudhe të tillë. “Nëse nuk ka prova të forta kundër tyre, ne nuk mund t’i ndalojmë ata dhe as të hapim çështje kundër tyre. Pikërisht, si pasojë e procedurave apo pengesave të tilla, mundësitë që e gjithë kjo situatë të kthehet në një kaos total janë të mëdha”, shprehet një zyrtar turk. Turqia këmbëngul se anëtarëve të IS-it duhet t’i bëhet gjyqi në vendet e tyre të origjinës.

Suheyla dhe Lutfu shpresojnë se qeveria e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan do të zbatojë të njëjtën logjikë për qytetarët e saj, veçanërisht për vajzat e tyre. “Ata u larguan, pasi shteti turk hapi kufijtë”, thotë Suheyla, ndërsa mban në prehër nipin e saj që rënkon nga plagët. “Ju duhet t’i riatdhesoni fëmijët e mi. Dënojini me vdekje apo si të doni, vetëm bëjeni këtë gjë në Turqi”, i drejtohet ajo në formë lutëse qeverisë së z. Erdogan./Monitor

 

Fraksion.com