AktualitetTë fundit

“Biletat e falsifikuara”; Pronarët në shtëpi, punëtorët në burg

“Kjo është drejtësia e vjetër që kemi. Ky është produkti i kësaj drejtësie: pronarët e administratorët në shtëpi, punëtorët e tyre në burg”, deklaroi sot zv/kryeministri Erion Braçe, duke iu referuar vendimit të gjykatës për çështjen e evazionit me biletat e autobuzëve në Tiranë.

Braçe falënderoi “çdo inspektor të Tatimeve, çdo oficer të Policisë së Shtetit që merret me krimin në ekonomi, çdo prokuror që u mor drejtpërdrejt me hetimin e kësaj çështjeje dhe që sot ndjehet i tradhëtuar nga një pjesë e shtetit ku shërben”.

“Dua ta falënderoj për superpunën e bërë profesionalisht e në përputhje me ligjin, dua t’i them edhe që duhet bërë durim edhe pak, shumë pak: Në Veting ka radhë e radha po vjen shpejt, më shpejt seç këta kanë parashikuar në planin e tyre të biznesit”, tha Braçe.

Ai tha se “duhet që të gjithë bashkë të bëjmë punën qe kemi nisur, ndershmërisht,
drejt e në përputhje me ligjin”.

“Këta përballë do jenë me biznesin e tyre të paligjshëm që ka shkatërruar një sistem të tërë drejtësie. Ne nuk kemi punë me këta; me këta ka punë Vetingu! Ne kemi punë me Drejtësinë e Re, për çdo shkelës ligji, pavarësisht pushtetit politik e ekonomik, miqve në politikë dhe biznes, parave e pronave që kanë; por edhe për çdo gjyqtar që është mu si këta, shkel ligjin duke e bërë atë me gunga për punëtorët dhe magnet parash në njërën anë, sfungjer në anën tjetër për pronarët e paligjshëm”, tha Braçe.

Ndërkohë, tha Braçe, “do të vijoj të komunikoj me të paligjshmit në ekonomi”. “E keni kot, kot i digjni letrat, jemi një hap para jush, kemi çdo gjë në letër, zë e figurë! Mos u zhysni edhe më në krim, do ju kushtoj shumë shumë më shtrenjtë! Rruga e drejtë, e ligjshme dhe korrekte në pagimin e tatimeve e taksave, ju kushton shumë më lirë”, tha ai.

 

Fraksion.com