Afganistan: Talibanët sulmojnë qytetin e Kunduzit
Militantët talibanë kanë nisur një sulm të madh në Kunduz të Afganistanit, në kohën kur po mbahen bisedimet me Shtetet e Bashkuara, që kanë për qëllim t’i japin fund konfliktit 18-vjeçar në vend.
Zyrtarët afganë thanë se militantët talibanë kanë sulmuar pikat strategjike të qytetit Kunduz, njërit prej qyteteve më të mëdha në Afganistan.
Zëdhënësi i Presidencës, Sediq Seddiqi, tha se forcat e sigurisë afgane i kanë kundërpërgjigjur këtij sulmi në disa pjesë të qytetit.
Ndërkaq, zëdhënësi i talibanëve, në një postim në Twitter, e cilësoi këtë sulm si sulm në “shkallë të gjerë”.
Anëtari i Këshillit provincial, Ghulam Rabani Rabani tha për AP se talibanët kanë marrë nën kontroll spitalin e qytetit. Militantët kanë marrë pengje pacientët e këtij spitali, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Rohullah Ahmadzai, por nuk tregoi për numrin e saktë të pengjeve.
Ministria e Brendshme e Afganistanit tha se gjatë luftimeve kanë vrarë të paktën 34 militantë talibanë dhe se operacioni për largimin e militantëve nga qyteti është duke vazhduar.
Luftimet në Kunduz vijnë në kohën kur talibanët po bisedojnë me Shtetet e Bashkuara, për të arritur një marrëveshjeje paqe, që mund të përfshijë një afat kohor për largimin e mijëra trupave amerikane nga Afganistani.
Presidenti amerikan, Donald Trump, më 30 gusht deklaroi se SHBA-ja dhe talibanët kanë zhvilluar biseda të mira, por ende nuk është arritur marrëveshje.
Fraksion.com