AktualitetTë fundit

“Digji dokumentet”; Dalin përgjimet që fundosën pronarin e “Unazës”

Një informacion i përcjellë nga shtypshkronja e letrave me vlerë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka shërbyer si indicie, për nisjen e një hetimi në prokurorinë e kryeqytetit, hetim ky që do të çonte në zbardhjen e një skandali me falsifikimin e biletave të autobuzëve urban dhe “Fshehjen e të ardhurave financiarie”. Hetimi ka çuar në pranga biznesmenët Ferdinand Ibrahimi, djalin e këtij të fundit Anastas Ibrahimi, të cilit ju sekuestruar në një valixhe brenda një automjeti luksoz tip “Maserati”, sasia prej 105 mijë biletash, Fatos Vrapi, gruaja e tij Albana Vrapi, menaxheri i kompanisë “Alba Trans” Aldi Duka, Erisa Vora dhe Klodiana Qato. Të gjithë këta persona pritet që sot të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” që do kërkojë prokuroria e Tiranës. Ndërkohë gazeta ka mundur të zbardhë të plotë dinamikën e këtij krimi, mënyrën e kapjes së 105 mijë biletave dhe rëfimet eksluzive të personave protagonist në këtë krim.

Një bisedë e bërë në telefon mes Ferdinand Ibrahimit dhe djalit të tij Anastasit duke e udhëzuar që të digjte disa dokumenta, ka shërbyer si indicia kryesore për të rënë në gjurmët e stokut me 105 mijë biletave të falsifikuara. Kjo bisedë është bërë pikërisht në momentin kur policia kishte rrethuar shtëpinë e Ferdinand Ibrahimit, duke i kërkuar këtij të fundit të shkonte me ta në polici. Por biseda është përgjuar dhe më pas policia ka ndaluar djalin e Ferdinandit, Anastasin, duke i kapur në makinën luksoze një valixhe blu të mbushur plot me bileta false. “Shqiptarja.com” mëson se informacioni nga shtypshkronja tek Tatimet është përcjellë në datën 9 gusht 2019 dhe tregonte se prej disa kohësh ishin ngritur dyshime të forta që operatorët e përdorimit të linjave urbane përdornin bileta, të cilat nuk printoheshin nga kjo shtypshkronjë.

Nisur nga ky fakt, një ditë më pas, më datën 10 gusht 2019, është bërë kontroll në linjat e autobuzëve nga disa inspektorë të Tatimeve në Tiranë. Kontrolli është kryer në linjat e autobuzave “Tirana Urban Trans” dhe “Alba Trans” që menaxhohen nga biznesmenët Ferdinand Ibrahimi dhe Fatos Vrapi. Në lidhje me këtë kontroll është mbajtur një akt-konstatimi nga inspektorët e Tatimeve dhe janë marrë në vlerën e provës materiale disa blloqe biletash dhe kontrabiletash të këtyre dy linjave, me qëllimin e vetëm verifikimin e tyre nëse janë të rregullta dhe ishin shtypur ose jo nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë. Për këtë çështje blloqet e biletave janë sekuestruar nga prokuroria e Tiranës, që tashmë kishte nisur dosje penale dhe më datën 13 gusht 2019 i janë dërguar shtypshkronjës së Letrave me Vlerë për ekspertim.

Ndërkohë, në vazhdën e hetimeve të nisura, “Shqiptarja.com” mëson se më datën 10 gusht 2019 është pyetur Erisa Vora me detyrë administratore e shoqërisë “Tirana Urban Trans”, e cila ka deklaruar se blloqet e bilatave tërhiqen në Drejtorinë e Tatimeve me mandate arkëtimi, ku regjistrohen numrat serialë të biletave dhe këto blloqe biletash tërhiqen nga Lulzim Allaraj, i cili është punonjës i kësaj shoqërie. Gjithashtu, në kuadër të këtij hetimi, është pyetur Erzen Gjona, i cili është përgjegjës i turneve të autobuzëve për shoqërinë “Alba Trans”. Gjona ka thënë se këto blloqe biletash tërhiqen në Drejtorinë e Tatimeve nga Aldi Duka, i cili është menaxher i shoqërisë “Alba Trans”.

Ndërkohë, më datën 13 gusht 2019 nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë ka mbëritur në prokurorinë e Tiranës rezultati i ekspertimit, ku thuhej se: ”…në konfiguracionin e biletës në dritaren fundore të autobusit, biletat e prodhuara nga ata kanë formë drejtkëndore dhe jo ovale, ndryshon lloji i shkrimit me të cilin është konfiguruar bileta, sidomos në kurbat e shkronjave “b” dhe “r”. Ndërsa lloji dhe ngjyra e letrës është e ndryshme, letra që ne përdorim është letër “Samooa” 80 gsm, ngjyra Ivory. Ndërsa letra e biletave të sekuestruara është letër është me ngjyrë më të hapur dhe më pak poroze. Biletat e prodhuara nga shtypshkronja janë të paisura me perforime, ndërsa në blloqet e tjera nuk ka perforime. Tonaliteti i ngjyrës së numëratorit është i ndryshëm nga ai i shtypshkronjës dhe më konkretisht kodi i bojës së përdorur prej tyre është boja Kao colins inc, cm-5OORED, ndërsa boja e përdorur në biletat që janë paraqitur për ekspertim ndryshon…”.

Dëshmia e Aldi Dukës

Nisur nga ky fakt, është pyetur Aldi Duka, me detyrë kontrollor në kompaninë “Alba Trans”, pasi ky është personi që bën kërkesë dhe merr në dorëzim biletat nga Drejtoria e Tatimeve për shoqërinë. Këto bileta ai, pasi i merr, i vulos në pjesën e pasme të tyre me një vulë të shoqërisë, për të përcaktuar linjën se kujt i jepet dhe intinerarin që do të përshkrojë autobuzi me këto bileta. Sipas Aldi Dukës, biletat i jepen dispeçerit të linjës dhe ai ua shpërndan fatorinove sipas nevojave që kanë, kjo në bazë të numrave serialë. Për këtë arsye, është pyetur Luan Tafaj, i cili punon si dispeçer i linjës së “Tiranës së Re” dhe ka qënë personi që i ka dhënë fatorinos biletat e kapura më datën 10 gusht 2019.

Ky person ka shpjeguar se, pasi i merr biletat, të cilat duhen të jenë të vulosura nga shoqëria, ja dorëzon fatorinos me numrat serialë të biletës dhe ai, pasi mbaron punë, lekët e xhiros dhe kontrabiletat, ose biletat e mbetura, ja dorëzon arkëtarit të shoqërisë. Lidhur me këtë çështje, është pyetur Gëzim Kola, i cili punon si fatorino dhe ka qenë personi, të cilit që i janë gjetur këto blloqe, kur është kontrolluar autubuzi. Ai ka shpjeguar se nuk ka dijeni për rregullsinë e biletave, pasi këto bileta ai i ka marë nga dispeçeri dhe ato kanë vulë të shoqërisë në pjesën e pasme, që janë konfirmuar nga eprorët e tij. Në lidhje për këtë fakt është pyetur Roland Dollija, i cili është përgjegjës për linjën e autobuzëve të “Porcelanit”, që administrohet nga shoqëria “Tirana Urban Trans”.

Ai ka shpjeguar se blloqet e biletave atij ja jep ekonomistja e shoqërisë, që quhet Elida Xherahu dhe më pas ai ja jep një punonjësi që qëndron tek parku dhe ky ua shpërndan shoferëve ose fatorinove sipas rastit. Roland Dollija ka treguar se të gjitha biletat merren në Drejtorinë e Tatimeve dhe nuk e kupton si ka mundësi që ato kanë rezultuar jo të rregullta. Prokuroria ka pyetur Elida Xherahun, e cila është ekonomiste në shoqërinë “Tirana Urban Trans”; ajo ka shpjeguar se kërkesën në Drejtorinë e Tatimeve dhe pagesën në bankë për biletat e kryen ajo, kurse për t’i marrë fizikisht shkon dhe i merr Lulzim Allaraj, i cili, pasi i merr, i dorëzon në zyrën e administratores, ku qëndron dhe ajo. Aty ekonomistja, pasi i merr biletat me një fletë-dalje, duke shënuar numrat e series, ua dorëzon përgjegjësve të linjave, konkretisht Roland Dollija për linjën e “Porcelanit…”, si dhe Lulzim Allaraj për linjën e Saukut. Në vijim të shpjegimeve Xherahu thotë se nuk ka dijeni se si e kryejnë shpërndarjen këto persona deri te fatorinot pasi nuk i intereson.

Gjatë marrjes në pyetje, ekonomistja nuk ishte në gjëndje ta shpjegonte se si biletat kanë rezultuar të falsifikuara. Është pyetur Eni Damjani, i cili është shofer te parku ku qëndrojnë autobuzat e linjës të “Porcelanit”. Ky person i merr biletat nga Roland Dollija dhe, pasi i ndan sipas autobuzëve, ja jep rojës, i cili çdo mëngjes ua dorëzon shoferëve të çdo autobuzi, sipas kërkesave që ata kanë për bileta. Ky person, gjatë marrjes në pyetje, ka deklaruar se ai mban shënim çdo numër serie të blloqeve, që i dorëzon Rolandi, ose ndonjë person i autorizuar prej tij.

Nga prokuroria e Tiranës janë administruar edhe akt-konstatimet (fotokopje) të mbajtura nga Drejtoria e Tatimeve për rastet, si dhe procesverbalet e gjobave të vendosura për këto shkelje administrative, si dhe dokumentacioni financiar i të dyjave kompanive.

Dëshmia e Fatos Vrapit

Për të zbardhur këtë skandal, prokuroria e Tiranë ka marë në pyetje pronarin e kompanisë “Alba-Trans”, Fatos Vrapi, i cili ka pohuar se është bashkadministrator me gruan e tij, Albana Vrapi. Kjo shoqëri, midis të tjerave, është e licensuar për transportin publik në qytetin e Tiranës në linjat e “Tiranës së Re”, “Tufina” dhe “Uzina Autotraktori”. Personi që merret me pagesat dhe tërheqjen e biletave është Aldi Duka. Këto bileta, pasi merren në Tatime, nëpërmjet një mandati, ku shënohen numrat e serisë së çdo blloku, ky shtetas i vulos në pjesën e pasme me vulën e agjencisë, për të identifikuar se ku do të përdoren, kjo, me qëllim për të minimizuar vjedhjet ose shpërdorimet nga ana e fatorinove ose të dispeçerëve.

Më pas, sipas rrëfimit të Fatos Vrapit, Aldi Duka bën shpërndarjen e tyre, duke ua dhënë dispeçerëve të linjave dhe ata ua japin fatorinove. “…Po ne kemi pasur probleme të tilla gjatë gjithë kohës, pra fatorinot nuk japin bileta, duke mbajtur për vete lekët, duke futur blloqe biletash të tjera, të cilat nuk janë të tërhequra nga ana jonë në Tatime. Kemi pasur raste kur udhëtarët kanë paraqitur abone, ose karta invalidi/veterani të falsifikuara, gjë për të cilën ne kemi kryer edhe kallëzim penal…” – ka deklaruar në prokurori Vrapi. “…Dua të them se, nisur nga këto raste, ne, si shoqëri, i jemi drejtuar me një shkresë zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve më datën 19 qershor 2019 për të na zëvendësuar sistemin e paisjes me bileta në dorë, duke e bërë me kupon kase, pasi heq rastet e abuzivitetit nga fatorinot ose udhëtarët, meqë edhe biletat e shtypura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë kanë cilësi të dobët dhe mund të falsifikohen” – tha Vrapi.

Ndërkohë, i pyetur për faktin se më datën 10 gusht 2019 është ushtruar kontroll nga drejtoria e Tatimeve në linjën e autobuzëve të “Tiranës së Re” dhe Gëzim Kolës, që shërbente si fatorino, i janë gjetur dhe marrë tre blloqe dhe kondrabileta dhe këto bileta, nga verifkimet që janë kryer, kanë rezultuar jo të rregullta dhe jo të prodhuara nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, Fatos Vrapi, duke qënë administrator, është shprehur se ai është i predispozuar që biletat të jenë të rregullta, pasi, në rast të kundërt, ka humbje si shoqëri. Gjithashtu, ai tha se nuk e di përse ka rezultuar një gjë e tille, pasi biletat ai i merr konform rregullave në drejtorinë e Tatimeve.

Për të gjitha problematikat që kanë dalë nga ky aktivitet i transportit publik ai u është drejtuar me shkresë Tatimeve, por edhe kur kanë evidentuar qytetarë, që kanë përdorur dokumenta false i janë drejtuar policisë dhe prokurorisë për t’i hetuar këto raste. Për rastin konkret ka cituar se ai nuk ka asnjë dijeni se si mund të kenë hyrë këto bileta jo të rregullta në linjën e “Tiranës së Re”, por tregon se është edhe vetë i interesuar që të bashkëpunojë me prokurorinë për të gjetur personin ose personat që kanë kryer këtë veprim të jashtëligjshëm, që atë e dëmton si pronar, por edhe shtetin njëkohësisht.

Gjatë marrjes në pyetje të këtyre personave, prokuroria ka ngritur dyshime të arsyeshme se biletat e transportit publik për linjat e autobuzëve “Porcelan”, që administrohet nga shoqëria “Tirana Urban Trans”, si dhe linja e “Tiranës së Re”, që administrohet nga “Alba Trans”, janë të falsifikuara, kjo në bazë të përgjigjes së ardhur nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, ku prodhohen këto lloj biletash.

Gjithashtu, vihet re se biletat e falsifikuara kanë të njejtin numër serial me ato bileta që janë marrë nga punonjësit e këtyre shoqërive në Drejtorinë e Tatimeve. Ky veprim ka dyshime se është kryer nga shoqëritë përkatëse për të përfituar të ardhura nga shitja e biletave, duke mos i raportuar në Drejtorinë Tatimore dhe, për të mbuluar falsifikimin, kanë kryer dublimin (falsifikimin) e numrave serialë të këtyre biletave.

Nga deklarimet në lidhje me këtë çështje, është mësuar se personi që merr fizikisht blloqet e biletave për shoqërinë “Alba Trans” është Albi Duka. Ai kryen vulosjen e blloqeve me vulën e shoqërisë dhe ua shpërdan punonjësve sipas detyrave. Në kuadër të konkluzioneve të shtypshkronjës për falsifikim të biletave, nga specialistët e hetimit tatimor është marrë masë administrative për subjektin “Alba-Trans” në vlerën 300 mijë lekë të rinj dhe për subjektin “Tirana Uraban Trans” është vendosur masa administrative në shumën 410.000 lekë të rinj.

Në kuadrin e këtyre kontrolleve është ushtruar kontroll edhe në dy subjekte të tjerë më datën 14 gusht 2019, përkatësisht në subjektin “Gerard­A.Shpk” dhe shoqërinë “Tirana Urban Trans”, ku, nga përgjigja e shtypshkronjës së letrave me vlerë e datës 15 gusht, kanë rezultuar të jenë të rregullta.

Përgjimi i telefonave/ Bllokimi i 105 mijë biletave

Për të hedhur dritë mbi këtë çështje të falsifikimit të biletave të autobuzëve, më datën 27 gusht 2018 janë vendosur në përgjim telefonik numrat telefonikë të biznesmenëve Ferdinand Ibrahimi, Fatos Vrapi, gruas së tij Albana Vrapi, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e këtyre personave. Gjatë përgjimit të numrit të telefonit të Ferdinand Ibrahimit, është mësuar se ai komunikonte me djalin e tij, Anastas Ibrahimi, në lidhje me disa dokumenta që donin t’i digjnin (zhduknin), pasi policia kishte shkuar në banesë dhe kërkonte që Ferdinand Ibrahimi të paraqitej në polici. Pas kësaj, është krijuar dyshimi se ato dokumenta mund të ishin bileta autobuzi dhe Anastas Ibrahimi i kishte futur në automjetin tip “Maserati”, me targa AA 006 TB, i cili ndodhej përballë banesës së Ferdinand Ibrahimit.

Duke qënë se Anastas Ibrahimi ka tentuar që të largohej me automjetin e mësipërm, duke dyshuar se ai donte të fshihte provat material, është bërë kapja e këtij personi dhe është kryer kontrolli i automjetit, ku u konstatuan një sasi e konsiderueshme blloqesh biletash urbani, të dyshuara të falsifikuara, të cilat ndodheshin në një valixhe ngjyre blu. Më pas, është bërë edhe shoqërimi në polici i Anastas Ibrahimit dhe automjetit të mësipërm. Nga kontrolli i ushtruar janë konstatuar dhe sekuestruar një sasi prej 105.000 biletash, të dyshuara të falsifikuara, si dhe mandate arkëtimi dhe blloqe mandatesh arkëtimi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

 

Fraksion.com