Zbardhen debatet; Rama-Bushatit: Të hoqëm sepse u solle si shef!
Mbledhja e mbrëmshme e Kryesisë së Partisë Socialiste është karakterizuar nga debate të ashpra dhe momente tensioni. Kryefjala e mbledhjes ishte situata e krijuar në Shkodër, ndërsa protagonist i debateve ishte ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i shkarkuar disa javë më parë nga kryeministri Rama si drejtues politik i Qarkut të Shkodrës.
Gjatë mbledhjes, Ditmir Bushati ka folur për rikthimin e personave me të kaluar të dyshimtë në PS. Bushati ka përmendur sintagmën “çunat problematikë’, duke ironizuar dhe referuar kështu Damian Gjiknurin, i cili sipas përgjimeve të publikuara nga Bild, flet për një grup çunash problematikë, të cilët i kishte zhvendosur në Dibër në kuadër të fushatës për zgjedhjet e pjesshme vendore, pas shkarkimit të Shukri Xhelilit.
Gjithashtu, Bushati i është referuar rolit të Tom Doshit në Shkodër dhe Valdrin Pjetrit, duke kërkuar pranimin e gabimit nga Rama për afrimin e tyre. Ndërkaq, sipas burimeve, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili ka pohuar se Tom Doshi nuk është pjesë e Partisë Socialiste, por i një force tjetër politike dhe se nuk ‘kërcënon’ vendin e Bushatit. Rama është shprehur se ‘Tom Doshi është një realitet në Shkodër. Nuk është pjesë e PS, por i një force tjetër politike. Është aleat. Edhe nëse nuk të pëlqen Doshi, ai është një realitet, ka votat e tij. Tom Doshi nuk kërcënon vendin tuaj në parti”.
Sipas burimeve, Rama i ka bërë më dije Bushatit edhe arsyet e zëvendësimit në Shkodër si koordinator.
“Ne të kemi hequr, pasi nuk je lider, por je shef. Lideri krijon raporte të barabarta, ti je sjellë si shef”.
Nga ana tjetër, Bushati mësohet se ka kundërshtuar edhe shkarkimin e drejtorëve në Shkodër, një pjesë e të cilëve duket se janë personazhe pranë tij. Ndërkaq, ish-ministri ka komentuar edhe akuzat për Vorën. “Dikur kishim Zydi Pepën, sot kemi Agim Kajmakun. Edhe për Arben Ndokën na paralajmëroi Xhafaj në 2013” – mësohet të ketë thënë Bushati. G.R
Fraksion.com