Uashington, ambasadori brazilian në mbrojtje të reagimit ndaj zjarreve
Ndërsa zjarret vazhdojnë të djegin xhunglën e Amazonës, Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro ka filluar të pranojë ndihma nga vendet e tjera. Ai tha se Brazili është i gatshëm të pranojë ndihma dypalëshe, por sulmoi sërish sot Presidentin francez Macron dhe akuzoi Gjermaninë dhe Francën se po përpiqen të blejnë sovranitetin e Brazilit. Ndërkohë, Zëri i Amerikës foli me Nestor Forster, Ambasadorin në detyrë të Brazilit në Uashington, në lidhje me reagimin ndaj kësaj krize.
Ambasadori në detyrë i Brazilit në Shtetet e Bashkuara, Nestor Forster, thotë se qeveria braziliane dhe Presidenti po punojnë për të vendosur nën kontroll mbi 26 mijë zjarre aktivë në pyjet e Amazonës braziliane.
“Ka dërguar 43 mijë ushtarakë brazilianë si mbështetje logjistike për 2500 zjarrfikësit që gjenden në terren në zonat më të prekura. Pra, e dimë se po bëjmë ç’të mundemi për të luftuar zjarret”, thotë ambasadori Forster.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë pikasur një numër të paprecedent zjarresh në rajon.
“Ekziston një element natyror në klimën tonë të thatë dhe temperaturat e larta. Kemi gjithashtu shumë fermerë të vegjël që djegin tokën e tyre për të eliminuar bimësinë e vjetër dhe për t’u përgatitur për sezonin e mbjelljes”, thotë ambasadori brazilian.
Diplomati brazilian thotë se qeveria po punon për të mbrojtur Amazonën, por ka edhe detyrimin të ofrojë zhvillim ekonomik dhe mundësi për mbi 25 milionë njerëz që jetojnë në rajonin e Amazonës.
Por, kjo nuk ndihmon popullsinë indigjene, si ç’është fisi Manoki, të cilët thonë se qeveria në fakt po i vë vetë zjarret.
Manuel Cabuxi, banor indigjen në Amazonën e thellë, thotë se zjarret po kërcënojnë mënyrën e tyre të jetesës.
“Të bardhët, njerëzit do t’i japin fund; do të shkatërrojnë jetët tona, planetin tonë, vendet ku jetojmë. Qeveria nuk shqetësohet për këtë; qeveria dëshiron të na vrasë. Ata nuk duan t’ia dinë për mjedisin; nuk duan të kuptojnë se ç’është një jetë me dinjitet. Thjesht nuk e kanë dëshirën”, thotë Manuel Cabuxi, banor indigjen.
Zjarret në Amazonë po ndikojnë edhe vendet fqinje, si Bolivia, ku po digjen të paktën 10 mijë kilometra.
Presidenti brazilian Bolsanaro thotë se do të marrë pjesë javën e ardhshme në një takim të shtatë nga tetë vendet e rajonit të Amazonës, për të diskutuar politikën e përbashkët për përballimin e zjarreve./VOA
Fraksion.com