Tre ngjarjet që po hetohen për vrasjen e ish policit
Dy janë pistat ku i ka përqendruar hetimet Policia dhe Prokuroria, në lidhje me vrasjen e ish-policit Santjago Malko, hakmarrja dhe larja e hesapeve.
Konkretisht, grupi hetimor po verifikon tri ngjarje kriminale, ku dyshohet të jetë përfshirë 26-vjeçari.
E para është ajo e vitit 2016, ku Malko u përfshi në një konflikt me dy vëllezër në rrugën “Islam Alla”, të cilët janë marrë në pyetje nga Policia.
Megjithatë, duket se “hesapet” mes tyre për konfliktin e tri viteve më parë ishin mbyllur. Megjithatë, edhe kjo ngjarje po verifikohet nga Policia.
E dyta është ngjarja e 4 tetorit të vitit të kaluar, në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë një person e u plagosën dy të tjerë. Kamerat e sigurisë e kishin fiksuar Malkon në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe për ketë arsye ai u shpall në kërkim policor. Kërkim që më pas u shua, pasi rezultoi që Santjago Malko nuk kishte lidhje konfliktin e as me krimin.
Ndërsa ngjarja e tretë është një atentat i ndodhur në Durrës, për të cilin grupi hetimor nuk jep me shumë të dhëna, por sqaron se është i ngjashëm me atentatin ku mbeti i vrarë vetë Malko, mbrëmjen e së martës, në Tiranë.
NGJARJA
Ish-punonjësi i Policisë, Santjago Malko, u gjet i ekzekutuar brenda automjetit të tij, rreth orës 22:20 të së martës. Burime nga Policia thanë se në sallën operative ishte dhënë një njoftim për një person të plagosur ose të vrarë, që ndodhej brenda një makine, në rrugën “Xhanfize Keko”. Menjëherë drejt vendngjarjes janë nisur të parët shërbimet e Komisariatit Nr. 4.
Në momentin e mbërritjes në vendngjarje, Policia ka konstatuar se brenda automjetit ndodhej një person i plagosur rëndë me armë zjarri, i cili brenda pak minutave ka ndërruar jetë, pa pasur kohë për ta nisur në spital. Sipas dëshmive të para që oficerët e Policisë kanë marrë në vendngjarje, burimet thanë se 26- vjeçari është qëlluar disa herë me armë zjarri, brenda makinës tip “BMVV X 5”./Panorama