AktualitetEkonomiTë fundit

“Të gjitha faturat elektronike më 2021”; Denaj: Lehtësi për biznesin e vogël

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, bëri të ditur sot se, në projektligjin e ri për “Fiskalizimin”, parashikohen lehtësi për biznesin e vogël, duke ulur kostot për një kategori të caktuar me shërbim falas, si dhe duke ofruar një aplikacion që do të mund të shkarkohet falas.

Sot u zhvillua mbledhja e Këshillit të Investimeve, nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Ndërkohë që projektligji i ri për “Fiskalizmin”, që prej fillimit të muajit gusht, vijon konsultimin me  grupet e interesit me qëllim përmirësimin e mundëshëm të tij, për të përmbushur misionin e tij kundër informalitetit në ekonomi dhe zhvillimin e biznesit të ndershëm në kushtet e konkurrencës së drejtë.

Ndryshimet kryesore të projektligjit kanë të bëjnë: fiskalizimi i transaksioneve mes biznesit dhe konsumatorëve, që parashikohet të zbatohet nga data 1 Janar 2020, dhe fiskalizimi i transaksioneve mes bizneseve, si dhe mes bizneseve dhe organeve shtetërore, që parashikohet të nisë zbatimin nga 1 Janari i vitit 2021.

Zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi u shpreh një ditë më parë se “Platforma ofron fiskalizim falas për bizneset e vogla të përjashtuara nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, deri në 2 milionë lekë xhiro, që kanë një numër të kufizuar transaksionesh, të cilat do të përcaktohen me VKM dhe për këtë ka vend për konsultim me ju, për të përcaktuar një tavan, i cili do të bënte të mundur që një kategori e mirë biznesesh të vogla të mos kenë nevojë për pajisje fiskale, por të fiskalizojnë transaksionet e tyre direkt në platformën qëndrore. Nga ana tjetër, edhe AKSHI po punon, në bashkëpunim me kompaninë konsulente, për të ofruar një aplikacion falas për biznesin e vogël, në kuadër të fiskalizimit, që mund të përdoret me një pajisje si telefoni apo tableti”.

 

Fraksion.com