AktualitetTë fundit

Kush është viktima e atentatit mafioz në Tiranë; Nga ish-polic tek njohja me Ervis Martinajn dhe çunat e bixhozit

Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e të martës, ( 27 gusht),  në Tiranë, teksa ishte duke udhëtuasr me makinën e tij tip BMV X5, në rrugën Xhanfize Keko. Ka qenë ora 22.20 minuta, kur duket se Malko 26 vjeç ka pasur kthimin për në shtëpi, por një atentat i mirëorganizuar i mori jetën.

Santiago Malko është 26 vjeçari që në vitin 2016, ka qenë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, por përplasja me dy vëllezër; Edmond Lashi 34 vjeç dhe Gentian Lashi, 26 vjeç .duket se e ka detyruar të largohet nga radhët e Policisë, për t’i zgjidhur konfliktet “jashtë uniformës”.

I riu nuk është i panjohur për Policinë. Ai rezulton të jetë  mik i ngushtë me biznesmenin e lojërave të fatit Ervis Martinaj, i cili u arrestua lidhur me masakrën e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Elio Hato.

Malko u shpall në kërkim nga policia atë kohë pasi ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë në lokalin ku ndodhi ngjarja duke hyrë me kapele. Por pas qetësimit të situatës i riu u paraqit vetë në polici, ku pasi sqaroi pozicionin e tij u la i lirë.

Konflikti në fjalë dyshohet për shkak të një borxhi, teksa vëllezërit Lashi kaë në pronësi një pikë bastesh, ku Malko kishte shkruar i armatosur dhe aty është konfliktuar me dy vëllezërit.

A ka apo nuk ka lidhje viktima e kësaj mbrëmjeje me precedentë të tjerë kjo pritet të zbardhet, por ekzekutimi i tij është shenjë e pastër e hakmarrjes.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë, i riu është qëlluar në ecje e sipër me mjetin e tij, ndërsa breshëri arme janë derdhur në dritaren e shoferit të mjetit, aty ku ishte pikërisht Malko në timon.

Pas të shtënave, autorët janë larguar për në zonën e Freskut, duke shfrytëzuar edhe momentin e lëvizjeve të pakta të automjeteve në atë zonë. Viktima ka mbetur në makinë për minuta të tëra, ndërsa të parët që mbërritën aty ishte një patrullë e policisë rrugore.

Autorët e dyshuar, sipas Policisë janë larguar në drejtim të fshatit Ferraj, ku dhe kanë djegur mjetin e tyre, tip “Mercedes Benz”. Shërbime të shumta policore kanë ngritur disa pika kontrolli në kryeqytet dhe janë vënë në ndjekje të autorëve.

Ndërkohë Espertët e Kriminalistikës po mbledhin prova në vendngjarje, që do të ndihmojnë hetimin. Policia ka nisur të shoqërojë persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit.

Specialistë nga Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës janë angazhuar si pjesë e grupit të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Policia e Shtetit fton këdo që ka dijeni për rrethanat e krimit të telefonoje falas në numrin 112.

 

Fraksion.com