AktualitetRajoniTë fundit

Itali arrihet marrëveshja; Forcat rivale anashkalojnë Salvinin

Partitë politike rivale të Italisë, arritën një marrëveshje të mërkurën në mbrëmje për të formuar një qeveri të re, që mënjanon udhëheqësin e ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, i cili mbizotëroi politikën e vendit dhe kishte kërcënuar që ta ndryshonte në mënyrë drastike drejtimin e Italisë në Evropë.

Presidenti Italian Sergio Mattarella thirri kryeministrin në largim Giuseppe Conte për një takim të enjten në mëngjes, njoftoi një zyrtar i presidencës.

Njoftimi sinjalizon se zoti Conte mund të marrë një mandat për të provuar të formojë një qeveri të re me Lëvizjen 5 Yjet dhe Partinë Demokratike të opozitës.

Zoti Conte dha dorëheqjen javën e kaluar, kur Ministri i Brepartia Lega e ekstremit të djathtë u tërhoq nga koalicioni me 5 Yjet, duke e detyruar Presidentin Mattarella të nisë konsultimet me të gjitha partitë kryesore politike të vendit për të gjetur rrugëdaljen nga kaosi politik.

Si 5 Yjet ashtu edhe Partia Demokratike i thanë presidentit se janë të gatshme të përpiqen për formimin e një qeverie të re, të drejtuar nga zoti Conte.

Të dyja palët ende duhet ende të bien dakord për një platformë të përbashkët politike si dhe për një ekip ministrash, por kreu i 5 Yjeve Luigi Di Maio dhe homologu i tij i Partisë Demokratike Nicola Zingaretti thanë se ishin zotuar për të gjetur një bazë të përbashkët për të mirën e vendit.

“Ne e duam Italinë dhe e shohim të vlefshme ta provojmë këtë përvojë,” u tha Zingaretti gazetarëve. Di Maio tha: “Ne kemi marrë angazhime për italianët … dhe çfarëdo që të ndodhë, duam t’i përmbushim ato”.

Koalicioni i mëparshëm u prish këtë muaj kur kreu i Legës, Matteo Salvini u tërhoq nga aleanca me shpresën se kjo do të shkaktonte zgjedhje të parakohshme dhe ai do të favorizohej falë popullaritetit të tij në rritje.

Por kjo lëvizje e tij dështoi sepse Conte refuzoi të jepte dorëheqjen menjëherë, duke i dhënë kohë 5 Yjeve dhe Partisë Demokratike të përpiqeshin të tejkalonin armiqësitë dhe të binin dakord për një qeveri që më parë dukej e pamundur.

Matarela1

 

Fraksion.com